Lindja e Mesme, mospajtime rreth programit bërthamor iranian

29.04.2026 17:15

Mospajtimet rreth programit bërthamor të Iranit...

Mospajtimet rreth programit bërthamor të Iranit kanë ndikuar në ngecjen e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje me ShBA-në, që do t’i jepte fund konfliktit. Teherani këmbëngul që çështja bërthamore të mbetet jashtë bisedimeve.

Por, gjatë darkës zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, në nder të Mbretit Çarls III dhe bashkëshortes së tij, Trampi ritheksoi se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.

“Aktualisht punojmë në Lindjen e Mesme dhe po ecim shumë mirë. Ushtarakisht e kemi mposhtur kundërshtarin. Çarlsi është dakord me mua, madje edhe më shumë se unë. Nuk do ta lejojmë kurrë këtë kundërshtar të ketë armë bërthamore.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Megjithëse armëpushimi i zgjatur është ende në fuqi, autoritetet iraniane thonë se situata mbetet e brishtë dhe larg përfundimit të konfliktit, duke theksuar mungesën e plotë të besimit ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Nuk e konsiderojmë luftën të përfunduar. Edhe pse pati një armëpushim apo një heshtje në fushëbetejë, ne nuk kemi besim te Amerika dhe armiqtë tanë. Si gjithmonë, gjatë luftës, kemi bërë përpjekje serioze për të përditësuar objektivat tona.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Iraniane, Mohamad Akrami Nia.

Pjesa dërmuese e uraniumit të pasuruar ndodhet ende në kompleksin bërthamor pranë Isfahanit, thonë nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, duke theksuar se ky lokacion ka qenë shënjestër e sulmeve ajrore në muajt e fundit. Agjencia kërkon gjithashtu të verifikojë edhe objekte të tjera bërthamore për të cilat dyshohet se përmbajnë materiale bërthamore.

“Duhet të kuptojmë se kur themi Isfahan, nuk bëhet fjalë për një vend të vetëm. Është një zonë që përfshin një numër të madh ndërtesash, objektesh, tunelesh dhe hapësirash, ku janë zhvilluar aktivitete të ndryshme që lidhen me ciklin e karburantit bërthamor.”, - u shpreh drejtori i ANEA-së, Rafael Grosi.

Një ditë më parë, liderët e vendeve të Gjirit kërkuan një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës në Iran dhe theksuan se nuk do të lejojnë të përdoren në konflikt.

Në të njëjtën kohë, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se do të tërhiqen nga OPEC dhe OPEC+, gjë që sipas mediave rajonale lidhet me mungesën e mbrojtjes së mjaftueshme nga vendet arabe gjatë sulmeve të shumta iraniane. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)