Ukraina nën hijen e luftës në Iran, Zelenski paralajmëron rënie të vëmendjes së ShBA-së
Lufta në Ukrainë po intensifikohet në hijen e konfliktit në Lindjen e Mesme...

Lufta në Ukrainë po intensifikohet në hijen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Presidenti ukrainas paralajmëron se zhvendosja e fokusit të ShBA-së drejt Iranit ndikon në mbështetjen për Kievin, si dhe mund të inkurajojë veprime të reja ushtarake ruse, përfshirë edhe ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
“E kuptojmë se si lufta në Iran ndikon në qasjen e ekipit amerikan. Ata janë të përqendruar në çështje të tjera dhe jo në luftën në Evropë. Ndërkohë Evropa ka më pak mundësi të ndikojë mbi Rusinë. Megjithatë, ne kemi detyrat tona. Ekipi ukrainas është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët amerikanë për t’u siguruar që i kuptojnë rreziqet dhe perspektivat, si dhe me partnerët evropianë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
BE-ja ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Ukrainën, duke bërë të ditur se brenda këtij tremujori do të disbursohet kësti i parë prej 45 miliardë eurosh, pjesë e paketës së përgjithshme prej 90 miliardë eurosh të parashikuar për Kievin.
“Mesazhi ynë është shumë i qartë: Do të vazhdojmë mbështetjen për popullin trim ukrainas dhe forcat e tij të armatosura.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Rusia thotë se është e hapur për një zgjidhje, por thekson se Kievi dhe Perëndimi nuk mund të përcaktojnë kushtet e marrëveshjes, duke këmbëngulur për njohjen e Krimesë, Donbasit dhe Novorusisë si pjesë të saj. Presidenti rus paralajmëron për rrezik sabotimesh dhe sulmesh para zgjedhjeve në rajonet e aneksuara, ndërsa luftimet dhe goditjet vazhdojnë në të dyja anët.
“E dimë se regjimi i Kievit dhe mbështetësit e tij i janë drejtuar hapur metodave terroriste, pasi nuk janë në gjendje të ndalin avancimin e trupave tona. Ata po humbasin territor çdo ditë.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Rumania ka ngritur avionët luftarakë për shkak të dronëve rusë, ndërsa Ukraina ka kryer sulme brenda territorit rus. Pas goditjeve në rafinerinë e Tuapses, u raportua edhe zjarr në një objekt industrial në rajonin e Permit, ndërsa Moska akuzon Kievin për sulme terroriste ndaj infrastrukturës civile.
Gjatë vizitës në ShBA, Mbreti Çarls III bëri thirrje për “vendosmëri të palëkundur” në mbrojtje të Ukrainës, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Ai rikujtoi se mbrojtja kolektive e NATO-s është aktivizuar vetëm njëherë, pas sulmeve të 11 shtatorit në ShBA.
“E njëjta vendosmëri e palëkundur është e nevojshme për mbrojtjen e Ukrainës dhe popullit të saj, në mënyrë që të sigurohet një paqe e drejtë dhe afatgjatë.”, - theksoi Mbreti Çarls III.
Deklarata e monarkut britanik shihet si një mbështetje e kujdesshme për aleancën transatlantike, në një kohë kur janë shtuar paralajmërimet nga Trampi për tërheqjen e ShBA-së nga ajo. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
