Maqedoni
Strategjia fiskale 2027 – 2031, MF: Synon stabilitet dhe disiplinë financiare
30.04.2026 13:54
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një sistemi më elastik, të qëndrueshëm dhe efikas të financave publike....

Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një sistemi më elastik, të qëndrueshëm dhe efikas të financave publike. Përmirësimi i kornizës fiskale është në interes të stabilitetit ekonomik dhe zhvillimit afatgjatë të vendit, kështu deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, në diskutimin me temën "Efikasiteti i Financave Publike dhe Roli i Rregullave Fiskale në Maqedoninë e Veriut", të organizuar nga Këshilli Fiskal. Sipas saj, ky diskutim po zhvillohet në fazën e miratimit të Strategjisë Fiskale për periudhën 2027-2031 si një kornizë kyçe për menaxhimin e financave publike afatmesme.
"Menaxhimi modern i financave publike kërkon një vizion afatgjatë, rregulla të qarta dhe stabilitet institucional që mundësojnë parashikueshmëri, disiplinë dhe përgjegjësi në vendimmarrje. Politika fiskale në periudhën e ardhshme do të përballet me një sfidë komplekse të balancimit të nevojës për konsolidim dhe nevojës për zhvillim. Prandaj, menaxhimi i kujdesshëm, institucionet e forta dhe zbatimi konsistent i rregullave fiskale janë të nevojshme.", - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Akademiku Abdulmenaf Bexheti ngriti shqetësimin lidhur me shpenzimet publike, të cilat janë rritur për tri herë në 15 vitet e fundit, por jo edhe Prodhimi Bruto Vendor.
“Në kohë të mira bëhet konsolidimi fiskal, por kohët e mira iluzion janë politikanët, sepse kohët e vështira nuk do të kthehen. Dhe ne po kalojmë në periudha të tilla të mira, por atëherë nuk po krijojmë hapësirë dhe kursime të mjaftueshme, por edhe kulturë të mjaftueshme të kursimeve, që është me e rëndësishmja dhe thelbi kryesor që të dimë të sillemi si burrështetas në drejtim të shpenzimeve të parasë publike. Kur ju do të përballeni me paranë publike, ju duhet të jeni mbrojtësi i parasë shtetërore, ndërsa jepni përgjegjësi një organi kolektiv, siç është Qeveria.”, - theksoi kryetari i Këshillit Fiskal, akademiku Abdulmenaf Bexheti.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo strategji është rezultat i një angazhimi të qartë për menaxhim të përgjegjshëm dhe të disiplinuar të fondeve publike në kushte të rritjes së rreziqeve globale, paqëndrueshmërisë energjetike dhe nevojës për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, duke shtuar se parashikon një ulje graduale të deficitit buxhetor dhe uljen e tij në një nivel prej 2.8% në periudhën deri në vitin 2031. Sipas tyre, për të arritur këto qëllime, Qeveria do të zbatojë masa të vazhdueshme si në anën e të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve të buxhetit, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë, efikasitetit dhe transparencës më të madhe në menaxhimin e financave publike.
FITIM KRYEZIU
