Botë
Bisedimet ShBA - Iran, pa përparim, ngërç për çështjen bërthamore
30.04.2026 14:04
Diplomacia mes ShBA-së dhe Iranit po zhvillohet gjithnjë e më shumë në distancë..

Diplomacia mes ShBA-së dhe Iranit po zhvillohet gjithnjë e më shumë në distancë, pa takime të drejtpërdrejta dhe pa rezultate konkrete. Uashingtoni thekson se përparimi në bisedime mbetet i kufizuar, ndërsa kushti kryesor për çdo marrëveshje mbetet heqja dorë e Teheranit nga armët bërthamore. Në këtë proces është përfshirë edhe Rusia, me përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së uraniumit të pasuruar.
“Nuk fluturojmë më për 18 orë. Tani këtë e bëjmë përmes telefonit. Ata kanë bërë përparim të madh, por pyetja është nëse do të shkojnë deri në fund. Nuk do të ketë kurrë marrëveshje, nëse nuk bien dakord të mos kenë armë bërthamore. Edhe Putini nuk dëshiron që ata të kenë armë bërthamore.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ndërkohë që ndërmjetësit në Pakistan presin një propozim të rishikuar paqeje nga Irani, Teherani kërcënon se ndaj bllokadës së vendosur nga ShBA-ja, e cila lidhet me kushtin për heqjen dorë nga armët bërthamore, do të përgjigjet me “veprim praktik dhe të paprecedentë”. Misioni iranian në OKB akuzon Uashingtonin se po e përdor çështjen e uraniumit të pasuruar si mjet presioni politik dhe për të devijuar vëmendjen nga zhvillimet tjera.
“Uraniumi i pasuruar iranian ka qenë gjithmonë nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike. Nuk ka raportime për devijim as edhe të një grami materiali bërthamor iranian. ShBA-ja e paraqet uraniumin tonë të pasuruar si kërcënim për të larguar vëmendjen nga shkeljet e tyre.”, - thuhet në deklaratën e Misionit të Përhershëm të Iranit në OKB.
Nga ana tjetër, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, paralajmëron se gjendja e rezervave iraniane duhet të verifikohet urgjentisht.
“Çështjen e materialit bërthamor shumë të pasuruar, afër nivelit për armë, ne e kemi ndjekur dhe verifikuar deri në qershor 2025. Nuk e dimë nëse gjendja është e njëjtë. Derisa inspektorët tanë të kenë akses për ta konfirmuar, nuk mund të themi me siguri çfarë po ndodh në terren.”, - theksoi kreu i ANEA-s, Rafael Grosi.
Ndërkohë në Liban, Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë me sulme të ndërsjella dhe akuza për shkelje të armëpushimit.
“Gratë dhe fëmijët mbeten të goditur në mënyrë disproporcionale. Përshkallëzimi i mprehtë i dhunës ka zhbërë përfitimet e fundit në sigurinë ushqimore dhe e ka kthyer vendin në krizë.”, - u shpreh zëdhënësi i sekretarit të OKB-së, Stefan Dujarriq.
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë rritur sërish çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare. Rritja është ndjerë menjëherë edhe në tregjet globale të energjisë.
FARIJE DAUTI BAKIU
