Botë

Negociata për armëpushim në zhvillim, konflikti Rusi - Ukrainë vazhdon në terren

30.04.2026 14:19

Ndërkohë që Ukraina koordinon me ekipin e Trampit detajet rreth propozimit rus për një armëpushim të përkohshëm më 9 maj...

Ndërkohë që Ukraina koordinon me ekipin e Trampit detajet rreth propozimit rus për një armëpushim të përkohshëm më 9 maj, i paralajmëruar nga Putini, luftimet në terren vazhdojnë. Ukraina ka kryer sulme ndaj infrastrukturës së naftës në territorin rus. Moska gjithashtu raporton për viktima dhe të plagosur pas një goditjeje ndaj një autobusi në rajonin e Belgorodit. Ndërsa në Ukrainë, forcat ruse kanë ndërmarrë sulme të gjera ndaj Odesës dhe infrastrukturës energjetike e të transportit në rajonin e Mikolajivit.
 
“Dëgjuam diçka që po afrohej, sikur po fluturonte sipër nesh. Pastaj ndodhi shpërthimi dhe ai më mbuloi me trupin e tij. Nuk kam plagë, sepse ai më mbuloi, ai ishte shtrirë në këtë anë, unë në anën tjetër. Ai fjalë për fjalë më mbuloi, dhe të gjitha xhamat ranë mbi të, edhe perdet ranë poshtë. Ai tani është në spital, ka disa prerje në shpinë.", - theksoi banorja e një apartamenti të dëmtuar, Nadia.
 
"Shkatërrime të konsiderueshme kanë prekur zonat e banimit dhe infrastrukturën civile.”, - u shpreh zëdhënësja e Emergjencave të Odesës, Marina Averina.
 
Kremlini tha se ende nuk është përcaktuar koha e fillimit dhe e përfundimit të armëpushimit.
 
“Për momentin po flasim për Ditën e Fitores, por saktësisht kur hyn në fuqi dhe kur do të përfundojë do të përcaktohet nga presidenti. Nuk ka ende një vendim konkret për këtë. Së pari duhet një vendim i presidentit; ne do ta bëjmë publik menjëherë. Sa i përket regjimit të Kievit, ende nuk kemi dëgjuar ndonjë reagim për këtë.”, - deklaroi zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov.
 
Presidenti Volodimir Zelenski thekson se qëllimi i Kievit është një paqe afatgjatë dhe jo marrëveshje e përkohshme, duke i konsideruar objektivat energjetike ruse si pjesë e legjitime e veprimeve ushtarake ukrainase.
 
“Industria ruse e naftës, logjistika ushtarake dhe prodhimi ushtarak, të gjitha këto janë objektiva plotësisht legjitime dhe të justifikuara të sanksioneve tona afatgjata. Ne do të mbrojmë interesat tona kombëtare në çdo mënyrë të nevojshme.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Pavarësisht diskutimeve për armëpushim, situata në terren mbetet e tensionuar dhe pa shenja uljeje të luftimeve.
 
FARIJE DAUTI BAKIU