Maqedoni

Përplasen BDI dhe VLEN, dyshime abuzimi në MEPSO

30.04.2026 16:17

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VLEN-i janë përplasur rreth keqpërdorimeve të mundshme në Kompaninë MEPSO....

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VLEN-i janë përplasur rreth keqpërdorimeve të mundshme në Kompaninë MEPSO.

BDI-ja ka kërkuar hetim të menjëhershëm ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Kompanisë MEPSO, Burim Latifi, ku si pasojë e vendimeve të tij, është sjellë vendim ndërkombëtar që shtetin ta paguajë 6 milionë euro dëmshpërblim.

Sipas partisë shqiptare opozitare, Latifi ka anuluar kontratën ekzistuese me kompaninë “Energo Invest” dhe e ka zëvendësuar me “ELNOS BL DOOЕL” nga Banja Luka.

“Burim Latifi, i emëruar në krye të një ndërmarrjeje strategjike shtetërore mbi baza familjare dhe politike, ka marrë vendime që kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik dhe kanë futur një kompani të lidhur me Dodikun në infrastrukturën kritike energjetike të një shteti anëtar të NATO-s. BDI-ja i kërkon Prokurorisë Publike fillimin e menjëhershëm të hetimeve penale ndaj Burim Latifi për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Por, nga MEPSO-ja kanë hedhur poshtë këto pretendime si të pavërteta.

“ShA MEPSO e informon opinionin e gjerë se procedura për përzgjedhjen e kontraktorit për projektin e ndërtimit të linjës interkonektive 400 kv ndërmjet RMV-së dhe Republikës së Shqipërisë është zhvilluar në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, rregullat e BERZh-ës dhe legjislacionin kombëtar në fuqi, dhe nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe në përputhje me rregullat strikte të European Bank for Reconstruction and Development, që përbën një garanci shtesë për ligjshmëri, transparencë dhe përputhshmëri ndërkombëtare.”, -  njofton MEPSO.

Me reagim kanë dalë edhe nga VLEN-i. Sipas tyre, projekti që e sulmojnë nga BDI ishte në një gjendje pothuajse tërësisht të bllokuar, me realizim prej vetëm 4% në një periudhë katërvjeçare.

“Kur VLEN-i mori përgjegjësinë, kontrata tashmë kishte skaduar, pa kushte reale për vazhdim dhe pa asnjë aktivitet ndërtimor në terren. BDI-ja do të përgjigjet për kriminalitet dhe bllokim të projektit. BDI-ja do të duhet të përgjigjet pse anëtari i tyre partiak Nefi nga Ohri ishte nënkontraktues kryesor në projekt që shërbente vetëm për vjelje parash nga MEPSO-ja.”, - thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Sipas VLEN-it, gjatë kohës së BDI-së është kërkuar një aneks prej pothuajse 50% të vlerës së kontratës, përkatësisht rreth 8 milionë euro më shumë.

Vendimi për ndërprerjen e një kontrate të tillë jofunksionale nuk është politik, por institucional dhe logjik.

Sipas VLEN-it, hetimi që BDI-ja kërkon është më se i mirëpritur, sepse ky hetim do t’i nxjerrë në dritë të gjitha kriminalitetet e tyre. (Fitim Kryeziu, TVM2)