Avokati i Popullit në Kosovë: Ish-krerëve të UÇK-së po u shkelen të drejtat
Një raport i Avokatit të Popullit në Kosovë...

Një raport i Avokatit të Popullit në Kosovë ka konstatuar se janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke prezantuar raportin e titulluar “Rishikimi preliminar për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, theksoi se Raporti konfirmon shqetësimet e ngritura edhe më parë, ndërsa konstaton se mandati i Dhomave të Specializuara ka pasur devijim nga qëllimi fillestar dhe nuk është në frymën e pretenduar nga raporti i Këshillit të Evropës.
Raporti evidenton shqetësime serioze edhe lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare, por edhe ato profesionale, me ekipet e mbrojtjes.
“Konstatimi që nëse lirohen këta persona mund të paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim, konstatime nga vet kryetarja e gjykatës, ngrenë shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe për integritetin e procesit dhe lirimit të parakohshëm, si dhe mungesën e transparencës procedurale, shqetësime dhe vërejtje që janë konstatuar në pika të raportit.”, - deklaroi Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj.
Qelaj njëherësh ngriti shqetësim edhe për provat me origjinë nga Serbia.
“Sa u përket provave me origjinë nga Serbia, raporti konstaton mungesë serioze të transparencës, pasi kërkesat e mbrojtjes për qasje dhe zbulim për origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik përbën në vetvete shqetësim për transparencë, është konstatuar në raport.”, - theksoi Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj.
Avokati i Popullit sqaroi se për përgatitjen e raportit kanë angazhuar një autoritet, të pavarur e neutral, për të bërë një vlerësim preliminar për shqetësimet që vit pas viti institucioni i ka adresuar ndaj organeve të ndryshme për këto fenomene.
Ai tha se angazhimi i Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit, është bërë bazuar në ekspertizën e tyre profesionale dhe paanshmërinë e integritetit. (Gyltene Sinani, TVM2)
