Maqedoni

Këshilli për Etikë në Media ndau çmime për storjet më të mira gazetareske

30.04.2026 15:18

Këshilli për Etikë në Median e Maqedonisë ndau çmimet për storjet më të mira gazetareske...

Këshilli për Etikë në Median e Maqedonisë ndau çmimet për storjet më të mira gazetareske me temën "Faktet dhe dezinformatat rreth ndryshimeve klimatike", të botuara në periudhën maj 2025 - prill 2026. Fituesi i çmimit të parë është Mihail Miloshevski për storjen "Si do ta braktisë Maqedonia qymyrin pa humbur stabilitetin energjetik". Çmimi i dytë iu nda Aleksandar Metodiev dhe Suzana Miceva për filmin dokumentar “Rrugët e paligjshme të mbeturinave”. Çmimi i tretë iu nda gazetares së “Focus”, Valentina Vurmo, për historinë “A nuk helmojnë mbeturinat e huaja përveç mbeturinave tona”. Kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Leunora Kaliqi, tha se ceremoninë e ndarjes së çmimeve po e organizojnë në prag të 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, një ditë që na kujton se gazetaria e lirë, e përgjegjshme dhe profesionale nuk është privilegj, por themeli i çdo shoqërie demokratike.
 
“Këtë vit në konkurs arritën 29 storje nga 16 autorë, çka dëshmon se ekziston interes serioz për trajtimin profesional të temave që prekin drejtpërdrejtë jetën dhe cilësinë e qytetarëve. Në një kohë kur informacionet përhapen me një shpejtësi të madhe, ndërsa titujt kryesorë dhe edicionet qendrore, ka gjithnjë  e më pak hapësirë për t’i trajtuar temat apo gazetarinë tematike, bëhet edhe më e rëndësishme të mbështetet gazetaria që shkon në thelb, që shpjegon, verifikon dhe i shërben interesit publik.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Leunora Kaliqi.
 
Kreu i Sektorit të Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së, Stefan Hudolin, tha se po përballemi me sfida në rritje të informacionit të rremë në lidhje me ndryshimet klimatike që minojnë mirëkuptimin e publikut dhe vonojnë veprimin.
 
“Ne duhet të mbështetemi te media dhe në disa raste ato motivohen qëllimisht nga interesa të ndryshme, përhapen shpejt përmes platformave digjitale, duke rritur konfuzionin, dhe pasojat e kësaj janë reale. Dezinformimi është gjithashtu i rrezikshëm për reformat, thellon përçarjet sociale, minon vullnetin për të zgjidhur krizat globale. Në një mjedis të tillë, gazetaria cilësore është e pazëvendësueshme.”, - theksoi kreu i Sektorit të Bashkëpunimit, i BE-së, Stefan Hudolin.
 
Drejtoresha Ekzekutive Biljana Georgievska, tha se është e zhgënjyer nga fakti që Maqedonia është ende një pikë e zezë ekologjike në rajon, duke theksuar se do të vazhdojnë t’i inkurajojmë gazetarët të punojnë me guxim, me përkushtim, të qëndrojnë në këtë temë, të kenë sa më shumë raportime të tilla në përmbajtjen e rregullt të medieve. Këshilli për Etikë në Media i ndau mirënjohje gazetarit të Portalbit, Fisnik Xhelili, për storjet: ndotja e Lumit Drini i Zi, ndotja e ajrit në Tetovë dhe deponitë në Parkun Kombëtar Mali Sharr. Mirënjohje morën edhe gazetarët Ivan Kuzmanovski dhe Aleksandar Manasiev.

 

VLORA LATIFI TOPOJANI