Maqedonia bie tre vende në lirinë e shtypit, raporti evidenton sfida në funksionimin e mediave
Në renditjen më të fundit në indeksin “Reporterëve pa Kufij”...

Në renditjen më të fundit në indeksin “Reporterëve pa Kufij”, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie, duke kaluar nga vendi i 42-të në të 45-in, gjë që e ka bërë të mbetet në grupin e shteteve me kushte “problematike” për lirinë e medias.
Pavarësisht se vlerësimi i përgjithshëm nuk ka ndryshuar ndjeshëm, analiza tregon për dobësim në disa prej shtyllave kryesore që matin lirinë e shtypit, si kuadri ligjor, ndikimi politik dhe qëndrueshmëria ekonomike e mediave.
Sipas raportit, problemet kryesore lidhen me përhapjen e dezinformimit, mungesën e profesionalizmit dhe rënien e besimit të publikut, si dhe me qëndrimet shpesh negative të zyrtarëve ndaj gazetarëve.
“Nevojiten masa efektive për të mbrojtur gazetarët dhe ato duhet të shihen si katalizator për ndryshim, duke filluar me dhënien fund të kriminalizimit të gazetarisë: keqpërdorimi i ligjeve të sigurisë kombëtare, paditë SLAPP dhe pengimi sistematik i atyre që hetojnë, ekspozojnë dhe mbajnë përgjegjës. Mekanizmat ekzistues të mbrojtjes nuk janë mjaftueshëm të fortë; e drejta ndërkombëtare po minohet dhe pandëshkueshmëria është e përhapur.”, thonë nga RSF-ja, organizatë me seli në Paris.
Raporti ka shkaktuar përplasje në bllokun politik maqedonas. LSDM-ja akuzon Mickoskin për rënien e Indeksit të Lirisë së Shtypit.
“Tani jemi në grupin e vendeve me një “situatë problematike. Kjo është edhe një provë se si rrjeti mediatik i Orbanit në shërbim të Mickoskit po “përmbush” një nga pikat kryesore të reformës për BE-në – lirinë e medias.” - shprehet Filipçe.
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja ka reaguar ndaj kësaj deklarate. Nga atje thonë se Filipçe nuk është i besueshëm dhe legjitim të flasë për lirinë e medias, sepse është grindur me të gjitha mediat.
“Filipçe e gjeti veten të besueshëm dhe legjitim për të folur për lirinë e medias, kur nuk ka asnjë media, portal apo gazetar me të cilin nuk është grindur. Qëndrimi i Filipçes dhe LSD-së, nën drejtimin e shefit të PR-së të bashkëbanuesit të Zaevit, Zoran Bashanoviq, ndaj medias është jashtëzakonisht arrogant, i turpshëm dhe në raste të caktuara edhe i paedukatë.”, - thonë nga VMRO-DPMNE.
Në nivel global, raporti i RSF-së tregon një përkeqësim alarmues të lirisë së medias: për herë të parë, më shumë se gjysma e vendeve në botë konsiderohen në situatë “serioze” ose “shumë serioze”.
Një ndër arsyet kryesore është rritja e ligjeve kufizuese, sidomos në emër të sigurisë kombëtare, të cilat po përdoren për të kufizuar punën e gazetarëve dhe për të kriminalizuar gazetarinë. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
