Gjuha shqipe, Bexheti – Mickoskit: Të avancohet, siç rekomandon Komisioni i Venecias
Ligji për përdorimin e gjuhëve...

Ligji për përdorimin e gjuhëve sërish në terrenin e komunikimit në shtëpinë legjislative. Në seancën e pyetjeve të deputetëve, Blerim Bexheti, nga BDI ka kritikuar kryeministrin Mickoski për siç thotë, retorikën të tij se ligji duhet rishikuar apo se është problem kushtetues, pyet nëse do të respektohet mendimi i Komisionit të Venecias, i cili, sipas Bexhetit, thotë se standardet evropiane janë minimale, ndërkaq shtetet kanë hapësirë për të ndërtuar modele më të avancuara gjuhësore, madje edhe në gjyqësor. Bexheti kritikoi shefin e ekzekutivit se për të, Komisioni i Venecias vlen vetëm kur të dëshirojë ai, ndërkaq Gjykatën Kushtetuese di ta sulmojë kur është në pyetje ndonjë pikë e programit të tij.
“Sot kur i njëjti komision bën të qartë se standardet janë minimale dhe se shteti mund të ofrojë më shumë të drejta gjuhësore, a do ta respektoni edhe këtë pjesë apo Komisioni i Venecias vlen vetëm kujt i konvenon politikisht? Besoj se në përgjigjen e juaj duhet të ketë një sqarim se a jeni të gatshëm të pranoni se debati nuk duhet të jetë për ekzistencën e ligjit, por vetëm për zbatimin, burimet dhe kapacitetin për funksionalitetin e institucioneve.”, - deklaroi Blerim Bexheti nga BDI.
Mickoski: Shqipja s'pengon, s'lejoj manipulim me ndjenjat e shqiptarëve
Kryeministri Mickoski përkujton Bexhetin se Komisioni i Venecias jep mendime e rekomandime, ndërkaq kushtetutshmërinë e ligjeve e vërteton organi gjyqësor kompetent.
Për Mickoskin nuk paraqet problem gjuha shqipe dhe shton se si kryeministër nuk do të lejojë kurrë, që, siç tha, shpirtra të ngushtë të luajnë me tema të cekëta që prekin ndjenjat e qytetarëve, në këtë rast të shqiptarëve.
“Komisioni i Venecias në përgjithësi jep mendim pozitiv, ndërkaq Komisioni i Venecias nuk jep mendim për kushtetushmërinë e ligjit, por nëse është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Nëse ligji është kushtetues, tregon Gjykata Kushtetuese të cilën përbërje kushtetuese e kanë zgjedhur shumica juaj. Askush nuk është kundër shfrytëzimit të gjuhëve në Maqedoni që i përdorin pjesë e qytetarëve në pjesë të caktuar të vendit ose në tërë territorin, në këtë rast, gjuhën shqipe, dhe më tepër, askush nuk e ka kontestuar.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Trençevska: U izoluam, stagnuam
Në Kuvend u ngrit edhe integrimi i vendit. LSDM-ja pyet për ngërçin në këtë aspiratë, dhe pse nuk e kthejnë emrin e shtetit, për të cilën premtuan me hyrje në Qeveri.
“Ndërkohë, shteti stagnon, rruga evropiane është e bllokuar, ndërkaq në vend të reformave dëshmojmë për korrupsion dhe sistem jofunksional? Përfaqësuesit evropianë qartë thonë se futja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht pa të cilin s'ka përparim në BE. Pyetja ime është: A do të hyjnë bullgarët në Kushtetutë? Po ose jo?”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
Dimitrevski: Merremi me gabimet e ish-qeverisë
Zëvendësministri i Jashtëm, Dimitrievski, me përgjigje se Qeveria aktuale po merret me gabimet që ka bërë Qeveria paraprake, ku është dëmtuar identiteti gjuhësor.
“Ju u pajtuat me diçka me të cilën e dinit se do të pengohet integrimi evropian i vendit. Por, edhe krahas asaj, plotësuat disa dëshira të Sofjes dhe tani kur u frenua procesi dhe Qeveria 2 vite bën përpjekje në mënyrë dinjitoze ta zhbllokojë procesin, ku vutë çështje identitare dhe historike në kornizën negociuese, ku u pajtuat që rezultatet e komisionit të historisë të jenë benchmark për integirmin tonë.”, - u shpreh zëvendësministri i Jashtëm, Zoran Dimitrovski.
Në seancën kuvendore u ngrit edhe çështja e pagës minimale dhe tema tjera me rëndësi shoqërore. (Nermin Mulaki Fejzullau, TVM2)
