Maqedoni
Shfuqizimi i Qeverisë teknike, Gashi: Procedura ishte sipas rregullores
30.04.2026 16:03
Gashi deklaroi se shfuqizimi i Qeverisë teknike është miratuar sipas rregullores

Shfuqizimi i Qeverisë teknike është miratuar sipas rregullores, deklaron kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, duke i dalë në mbrojtje zëvendësit të tij, Antonio Milloshovski, i cili ditë më parë kryesoi seancën dhe refuzoi kërkesën e Frontit Evropian, që të ndërpritet debati dhe propozim-ligji të kalojë në komitetin për marrëdhënie midis bashkësive. Sipas kryeparlamentarit, ndonjëherë ka hapësirë për interpretime ndryshe të rregullores, por jo edhe në rastin konkret gjatë votimit për heqjen e Qeverisë teknike.
“Rregullorja është e qartë në këtë aspekt. Absolutisht mendoj se u respektua procedura në rregullore. Mund të ketë ndonjë indikacion politik, pse është vepruar në atë mënyrë. Unë në atë aspekt nuk ndërhyj, por sa i përket rregullores, konstatoj me plot bindje, jam i bindur se mbrëmë ligji për Qeverinë ka kaluar në bazë të rregullores.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Ajdari: Nuk u respektuan mekanizmat kushtetues
Nga Fronti Evropian nuk zmbrapsen nga qëndrimi i tyre se votimi u realizua në kundërshtim me frymën e përfaqësimit të drejtë dhe pa respektuar mekanizmat kushtetues që garantojnë barazinë ndërmjet bashkësive.
“Interpretimi tendencioz i rregullores së Kuvendit dhe anashkalimi i ligjit për komitetin për marrëdhënie midis bashkësive dëshmoi një qasje të qëllimshme për të shmangur mekanizmat mbrojtës dhe për të imponuar vendimmarrje të njëanshme. Për këtë shumicë parlamentare, nuk ka rëndësi dhe asnjë argument, tendenca siç duket është e qartë: mbivotimi i çdo tendence të opozitës.”, - theksoi koordinatorja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
Propozim-ligji për dyshtetësi, ende nuk janë përkthyer amendamentet
Nga LSDM veç më kanë nisur bojkotin e grupit të punës për kodin zgjedhor. Sipas kryeparlamentarit Gashi, kjo nuk reflektohet në punën e Kuvendit. Ai thotë se bashkëpunimi me të gjitha grupet parlamentare zhvillohet normalisht. Ai fton të gjitha partitë politike të dialogojnë në të gjitha proceset politike. Ndërkohë propozim-ligji për ndalesën e dyshtetësisë për deputetët e ardhshëm ende në labirintet e shërbimeve përkthyese të Kuvendit, të cilat nuk kanë përmbyllur përkthimin e amendamenteve. Gashi i përmbajtur për propozimet e ndryshme të partive politike, nëse ndalesa duhet të përfshijë këtë përbërje.
“Natyrisht nëse duhet të kaloj krejt filtrat e Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, nëse është në kundërshtim me gjykatën, d.m.th. bie ligji. Kështu që mendoj se janë pyetje hipotetike dhe të shohim se si do të vazhdojë procedura.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Edhe ligjet e agjendës reformuese po shkojnë me ritëm normal, thotë Gashi, dhe secili ligj sikurse mbërrin në Kuvend, ashtu edhe lëshohet për procedurë të mëtejme parlamentare.
MERAL ISMAILI
