Gjykimi për rastin “IPARD”, e pandehura pranoi fajin
Në Gjykatën Penale sot filloi gjykimi...

Në Gjykatën Penale sot filloi gjykimi për rastin e korrupsionit lidhur me fondet e programit IPARD. Para trupit gjykues janë nëntë të pandehur.
Një nga të dyshuarat, e pandehura Jasmina Kostadinova, e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, e ka pranuar fajësinë për marrje ryshfeti prej 2.000 eurosh për ndikim të paligjshëm, me qëllim që të ndërmjetësonte që një kompani të përfitonte mjete nga programi IPARD. E pandehura do ta mësojë vendimin për dënimin më 5 maj.
“Pritshmëritë janë që gjykata të shqiptojë sanksion komfort rrethanave lehtësuese dhe rënduese. E njëjta është akoma në fazën hetuese, e ka pranuar fajësinë për veprën penale, është e penduar për veprën, deri tani nuk është e gjykuar. Le të shohim se çfarë do të vendosë gjykata, do ta mësojmë të martën.”, - deklaroi avokati, Zvonko Davidoviq.
“Prokuroria disponon me dëshmi të mjaftueshme materiale, dëshmi të siguruara përmes masave të posaçme hetimore, si dhe dëshmi nga të dhëna të nxjerra nga pajisjet elektronike, me çka do të dëshmojë fajësinë e të akuzuarve të tjerë, gjithsesi se vetëm përmes pranimit të fajësisë së njëanshme, edhe Prokuroria pajtohet se nuk mund të jepet një dënim. Megjithatë, pranimi i fajit nga një prej të akuzuarve, në raport me të gjitha dëshmitë e tjera që Prokuroria do t’i paraqesë gjatë seancave kryesore të ardhshme gjyqësore, do të jetë vetëm një pjesëz e mozaikut, që do t’i ndihmojë situatës tashmë të vërtetuar faktike, e cila nuk është e kontestueshme në këtë lëndë, për shkak të pranimit të fajësisë.”, - theksoi prokurorja, Natasha Pop Trajkova.
Në këtë rast gjyqësor, në pyetje janë jo vetëm fondet nga taksapaguesit evropianë, por edhe kredibiliteti i shtetit karshi BE-së, tha prokurorja Trajkova. (Arlinda Baftiu, TVNM2)
