Maqedoni

Korridori 8, lëshohet në qarkullim nyja në Trebenishtë

01.05.2026 15:11

Lëshohet për qarkullim nyja rrugore në Trebenishtë, si hap i parë i autostradës Trebenishtë – Qafëthanë, pjesë e korridorit 8....

Lëshohet për qarkullim nyja rrugore në Trebenishtë, si hap i parë i autostradës Trebenishtë – Qafëthanë, pjesë e korridorit 8.  Ministria e trasnportit e përkushtuar që projekti infrastrukturor të realizohet, por do të pritet vlerësimi i UNESKO-s. Delegacioni i tyre do të vizitoj zonën. Diskutohet midis dy termineve, fundi i majit apo datat 12 deri më 14 qershor.
 
“Nga dje vëmë në qarkullim nyjen rrugore në Trebenishtë. Ky është një kryqëzim ku duhet të nis autostrada e re nga Trebinishta deri në Qafëthanë. Kjo është dëshmia më e mirë se kjo qeveri është e përkushtuar që të ndërtoj edhe këtë autostradë, përndryshe nuk do ta ndërtonim këtë nyje dhe nuk do ti shpenzonim paratë atje. Por tani vendimi nuk është në duart tona. Por, në perspektivë mendoj se ky vendim është i mirë, pasi që duhet të lemë hapsirë edhe për gjeneratat e reja.”, u shpreh ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski optimist se projekti do të realizohet deri vitin e ardhshëm.
 
“Presim që në përputhje me paralajmërimet paraprake të lëshohet për qarkullim të plotë nga Kërçova deri në Ohër më së voni, në tremujorin e parë të vitit 2027-të. E dini se me çfarë sfidash u përballëm, u anulua kredia kineze dhe me bankat e vendit bëmë sindikatë dhe projekti do të realizohet plotësisht deri në fund.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Kohët e fundit në qendër të debatit ishte mos përfshirja eventuale e Strugës me autostradën Kërçovë- Ohër duke e lënë jashtë Korridorit 8 që synon të lidh Adriatikun me Detin e Zi, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Opozita alarmoi se 57 kilometrat rrugë s’do ndërtohen por pushteti duke shprehur vullnetin për ndërtim në vazhdimësi ka deklaruar se vendimi i UNESKO-s është i nevojshëm pasi bëhet fjalë për zonë të mbrojtur, pjesë e trashëgimisë botërore.
 
MERAL ISMAILI