Rajon

1 Maj në Tiranë, protesta për paga dhe dinjitet të punëtorëve

01.05.2026 15:36

Në ditën e punëtorëve, përfaqësues të Unionit të Sindikatave të Shqipërisë u mblodhën përpara Ministrisë së Ekonomisë...

Në ditën e punëtorëve, përfaqësues të Unionit të Sindikatave të Shqipërisë u mblodhën përpara Ministrisë së Ekonomisë ku kërkuan krijimin e një ministrie të dedikuar për çështjet e punës, si edhe miratimin e minimumit jetik që do të garantonte një standard dinjitoz jetese për qytetarët.
 
“Institucionet përgjegjëse nuk marrin masa për të bërë kontrolle reale në lidhje me të gjithë ato biznese private apo ata punëdhënës të papërgjegjshëm. Inspektimet janë fiktive. Prandaj ndodh kjo gjë, që kemi shumë vdekje në vendin e punës. Duhet të ketë një ministri pune dhe veçanërisht për punëtorët.”, u shpreh kreu i Unionit të Sindikatave të Shqipërisë, Kondi Lija.
 
Në një tjetër protestë, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë dhe Federata e Transportit zhvilluan një protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar paga më të larta, siguri në punë dhe përmirësim të kushteve të jetesës.
 
“Ne kërkojmë paga të drejta, një minimum jetik të garantuar, paga minimale që përballon jetesën, jo mbi jetesën. Ne kërkojmë pensione të denjta për çdo qytetar. Ne kërkojmë status të merituar për minatorët, naftëtarët, metalurgët.”, u shpreh kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.
 
“Kërkojmë dinjitet, kërkojmë siguri në punë, siguri në rrugë, siguri në jetë. Kërkojmë paga dinjitoze për punonjësit, kërkojmë uljen e çmimit të karburantit. Kërkojmë që shteti të jetë rregullator, shteti të na dëgjojë zërin, të dëgjojë zërin e punonjësve.”, u shpreh kreu i Federatës, Tonin Gjinaj.
 
“Kërkojmë që punëtori t'i degjohet zëri.”, u shpreh një protestues.
 
“Ne kërkojmë ngritje rrugash. Një qenie më të mirë.”, tha një protestues.
 
Përkundër një numri të kufizuar protestuesish, parku i Liqenit ishte mbushur me qytetarë që kishin zgjedhur ta kalonin 1 Majin në natyrë.
 
“Jemi shumë të gëzuar. Po festojmë 1 majin me kënaqësi. Ka, nxjerrë dhe mbesën.”, u shpreh një protestuese.
 
Megjithatë, edhe ata pranojnë se kushtet ekonomike dhe pagat e ulëta mbeten një problem për shumë prej tyre.
 
LULJETA NDOKA