Botë
Lindja e Mesme, tensione në rritje, paralajmërime për përshkallëzim
01.05.2026 17:17
Sirenat e alarmit ajror janë dëgjuar në pjesë të Teheranit..

Sirenat e alarmit ajror janë dëgjuar në pjesë të Teheranit, ndërsa janë aktivizuar edhe sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore – raportojnë mediat shtetërore. Sipas tyre, bëhet fjalë për reagim ndaj “zbulimit armiqësor dhe mini-dronëve”, pas së cilës sinjalet paralajmëruese janë ndërprerë. Në kulmin e tensioneve dhe armëpushimit të brishtë, Trump deklaroi se Irani “po vdes për një marrëveshje” dhe se shumë pak njerëz dinë për bisedimet.
“Irani po vdes për të arritur një marrëveshje. Nuk dua të hyj në detaje, por ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Përveç kësaj, fuqia e bllokadës është e jashtëzakonshme. Ata dëshirojnë dëshpërimisht një marrëveshje, por askush nuk e di kush janë liderët e tyre. Askush nuk di për çfarë bëhen bisedimet, përveç meje dhe disa personave të tjerë.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Bllokada detare e SHBA-së është vazhdim i operacioneve ushtarake, vlerëson presidenti iranian, Masoud Pezeshkian.
“Ajo që po bëhet nën maskën e bllokadës detare është vazhdim i operacioneve ushtarake kundër një kombi që po paguan çmimin për rezistencën dhe pavarësinë e tij. Vazhdimi i kësaj qasjeje represive është i papranueshëm.”, u shpreh presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian.
Pakistani njoftoi se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa OKB-ja bën thirrje për rivendosjen urgjente të lirisë së lundrimit, duke paralajmëruar për pasoja serioze ekonomike.
“Kufizimi i lundrimit ndërpret furnizimet me naftë dhe gaz, destabilizon tregjet dhe rrit inflacionin. Në skenarin më të keq, inflacioni do të kalonte 6%, dhe ekonomia globale do të përballej me rrezik recesioni.”, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Ndërkohë, ushtria amerikane po shqyrton vendosjen e armëve të reja hipersonike në Lindjen e Mesme, pas zhvendosjes së raketave iraniane jashtë rrezes. Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të kërkojë miratim nga Kongresi për sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa Teherani paralajmëroi për “goditje të gjata dhe të dhimbshme” nëse sulmohet. Izraeli njoftoi se vepron në koordinim me SHBA-në kundër Iranit dhe se mund të ndërhyjë sërish, si dhe se do të shkatërrojë infrastrukturën e Hezbollahut njësoj si në Gaza.
“Do të shkatërrojmë të gjitha infrastrukturat terroriste në zonën e sigurisë, ashtu siç bëmë në Gaza, me qëllim eliminimin e kërcënimeve në veri. Do të shkatërrojmë të gjitha kapacitetet e Hezbollahut në gjithë Libanin.”, u shpreh ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz.
Pavarësisht armëpushimit të brishtë në Liban, Hezbollahu dhe Izraeli vazhdojnë me sulme dhe akuza të ndërsjella, ndërsa OKB-ja paralajmëron se numri i viktimave po rritet.
FITORE NAGAVCI
