Maqedoni
BDI akuza ndaj drejtorit të MEPSO-s, Latifi e dëmtoi buxhetin për 6 milion euro
02.05.2026 15:02
Kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat e partive politike shqiptare...

BDI ka vazhduar akuzat se drejtori i Kompanisë MEPSO, Burim Latifi i ka shkaktuar vendit dëm prej rreth 6 milionë eurosh. Sipas BDI-së, është e papranueshme që në një çështje kaq serioze, që lidhet me menaxhimin e mjeteve publike dhe përgjegjësinë institucionale, të mungojë transparenca dhe llogaridhënia.
“BDI e konsideron krejtësisht të papërgjegjshme heshtjen e vazhdueshme të Burim Latifit, i cili edhe pas tre ditësh nuk ka dhënë asnjë sqarim për opinionin lidhur me dëmin prej rreth 6 milionë eurosh që i ka shkaktuar shtetit. Është e papranueshme që në një çështje kaq serioze, që lidhet me menaxhimin e mjeteve publike dhe përgjegjësinë institucionale, të mungojë transparenca dhe llogaridhënia. Opinioni publik ka të drejtë të dijë pse është ndërprerë kontrata me kompaninë e parë dhe cilat kanë qenë arsyet reale për një vendim të tillë. Po ashtu, kërkojmë përgjigje pse për të njëjtën çështje është lidhur kontratë me një kompani tjetër nga Banja Luka, për të cilën në publik ekzistojnë dyshime për afërsi me struktura politike nga Republika Serpska dhe Millorad Dodikun”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
VLEN, BDI lufton vetëm për pushtet dhe tenderë
Por nga VLEN-në, janë kundërpërgjigjur se afera “Soravia” treguan se për liderin e integristëve Ali Ahmeti paraja peshon më shumë se çdo ndjenjë kombëtare.
“Ata vetë po e pranojnë se luftojnë vetëm për pushtet, tenderë dhe interesa personale. Për shqiptarët nuk u bëhet vonë. Shqiptarët i trajtuan si vegël për pushtet, i përdorën për tenderë dhe sot duan t’i shtrydhin përsëri për pasurimin e tyre personal. BDI vazhdon me truqe të vjetra. Ende jeton në filmin e vitit 2008. Kjo tregon se krejt çka ka bërë BDI ka qenë vetëm populizëm i pastër, duke u hedhur hi syve shqiptarëve në vend që t’u zgjidhte problemet. Koha kur Ali Ahmeti mund të fliste për interesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Ballkan moti ka marrë fund. Afera “Soravia” dhe skandalet e shumta ia hoqën maskën përfundimisht dhe treguan se për Ali Ahmetin paraja peshon më shumë se çdo ndjenjë kombëtare”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Nga MEPSO kanë sqaruar se kanë ndërpre kontratën sepse kontraktori kishte përfunduar vetëm katër përqind të projektit në katër vjet. Përveç kësaj, Energoinvest ka kërkuar vazhdimisht një rritje çmimi prej 40 deri në 50 përqind, gjë që sipas MEPSO-s është e paligjshme dhe në kundërshtim me kontratën.
FITIM KRYEZIU
