Botë

Autoritetet Iraniane, konflikti SHBA-Iran mund të rinisë

02.05.2026 16:52

Pasi Presidenti Amerikan Donald Trump deklaroi se nuk ishte i kënaqur...

Pasi Presidenti Amerikan Donald Trump deklaroi se nuk ishte i kënaqur me propozimin e ri Iranian për paqe, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Islamike ka paralajmëruar se “me gjasë” konflikti do të rinisë përsëri.
 
Autoritetet Iraniane thotë se bisedimet me SHBA-në "nuk janë konvencionale", dhe akuzojnë Uashingtonin për vendosjen e kërkesave shtesë. Ata thonë se nuk duan luftë, por nuk do të largohen nga parimet e tyre, as nuk do të pranojnë një kompromis me koston e dinjitetit dhe vlerave kombëtare.
 
“Problemi me palën amerikane është se ajo gjithmonë ka pritur të imponojë kërkesat e saj maksimale gjatë negociatave dhe gjatë gjithë procesit diplomatik, duke ushtruar presion mbi palën tjetër që t’i pranojë ato. Këto janë negociata me një sfond shumë të përgjakshëm”, deklaroi zëdhënës i ministrisë së jashtme të Iranit, Esmail Baghaei. 
 
“Ne nuk e mirëpresim luftën në asnjë mënyrë. Por absolutisht nuk jemi të gatshëm të braktisim parimet dhe vlerat tona përballë këtij armiku të lig vetëm për të parandaluar luftën ose për të parandaluar vazhdimin e saj”, u shpreh kreu i gjyqësorit të Iranit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.
 
Trump, SHBA-ja nuk tërhiqet pa marrveshje
 
Por presidenti amerikan Trump thotë se SHBA-të nuk do të tërhiqen pa një marrëveshje. Ai us hpreh I vendosur që Irnai të mos posedojë armë bërthamore.  
 
"Ata nuk po vijnë me një marrëveshje siç duhet ta kemi ne, ne do ta përfundojmë këtë siç duhet. Nuk do të largohemi para kohe dhe pastaj problemi do të rishfaqet pas tre vjetësh. Tani për tani po merrem me disa njerëz mjaft brutalë. Po veprojmë shumë mirë. Nuk mund t'i jepni Iranit një armë bërthamore. Kjo është e gjitha që mund të them", theksoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump. 
 
Kryqi i Kuq, lufta mund të shkaktojë katastrofë humanitare
 
Ndërkohë, derisa bllokada amerikane e porteve iraniane vazhdon, SHBA-të po iniciojnë formimin e një koalicioni me aleatët për të siguruar Ngushticën e Hormuzit dhe trafikun e lirë detar.
 
Vazhdimi i luftës mund të shkaktojë një katastrofë humanitare, paralajmëroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, duke theksuar se konflikti i vazhdueshëm tashmë po e shtyn situatën drejt “pikës pa kthim”.
 
“Irani është një vend i madh me miliona njerëz dhe infrastrukturë që mund të preken – ura, diga, termocentrale – gjë që do të kishte pasoja katastrofike për kushtet e jetesës. Edhe pse situata tani është nën kontroll, çdo përshkallëzim do të ishte në një shkallë që nuk mund ta përballojmë. Armiqësitë aktuale nuk do të sjellin stabilitet. Nevojitet këmbëngulje dhe durim për të ndërtuar besim dhe për të siguruar trafik të sigurt detar”, deklaroi presidentja e komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric Eger. 
 
Ndërkohë Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ka miratuar shitjen e më shumë se 8.6 miliardë dollarëve pajisje ushtarake për aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme si: Izraeli, Katari, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. 
 
FITIM KRYEZIU