Maqedoni
Sllupçan: Përkujtohet ”2 Maji-Shpallja e Zonës së Lirë”
02.05.2026 17:14
Me aktivitete të shumta në Komunën e Likovës..

Me aktivitete të shumta në Komunën e Likovës u shënua 2 Maji – Dita e shpalljes së Karadakut “Zonë e Lirë”.
Manifestimi qendror u mbajt si tradicionalisht në kompleksin e dëshmorëve në fshatin Sllupçan, ku morën pjesë ish-luftëtarë të UÇK-së, veteran të luftës, familjarë të dëshmorëve të rënë në altarin e Lirisë, si dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Maqedonia, Kosova, Shqipëri, Lugina e Preshevës e vise të tjera.
Para të pranishmëve u evokuan kujtime për konfliktin e vitit 2001, e cila avancoi pozitën e shqiptarëve në RMV.
“Sot në kët “2 Maj”, toka nën këmbët tona nuk është thjeshtë një truall por është dëshmi, sot Sllupcani nuk është thjeshtë një fshat por është kryeqyteti i qëndresës shqiptare. 25 vjet më pare në këtë date, këtu u thye heshtja e robërisë dhe u shpall zona e lirë. Ishte koha kur djemt më të mirë të karadakut u rreshtuan nën emblemën e lavdishme të UÇK dhe vendosën se mjaftë ishte mjaftë! Nuk ishte thjeshtë thirrje ushtarake por ishte thirrja e një populli që kërkonte dinjitet”, theksoi mes tjerash, Arifi.
Shpalljen e Karadakut “Zonë e Lirë”, më 2 maj të vitit 2001, e përkujtoi edhe njëri ndër liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti.
“2 Maji mbetet një nga momentet më domethënëse të historisë sonë, dita kur Karadaku u shpall Zonë e Lirë, si simbol i qëndresës dhe vendosmërisë për liri. Ajo kohë ishte e mbushur me sfida, por edhe me guxim të pashoq të njerëzve që nuk u dorëzuan përballë vështirësive. Nëpërmjet sakrificës së tyre u hap një kapitull i ri shprese dhe dinjiteti për këtë vend. Sot e kujtojmë këtë ditë me respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në atë rrugëtim, duke na lënë trashëgimi lirinë që e gëzojmë sot. Lavdi dhe nder për të gjithë të rënët dhe përjetësisht respekt për historinë tonë.”, shkruan Mexhiti në rrjetet sociale.
Në kuadër të shënimit të 2 majit u bënë homazhe për të gjithë martirët e rënë në altarin e lirisë nga fshati Vaksincë e deri në fshatin Nikushtak.
FATLUM AQIFI
