Botë
SHBA-ja do të tërheqë trupat nga Gjermania, Pistorius: Evropa të bëjë më shumë për sigurinë
02.05.2026 18:06
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave...

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm.
Ky vendim erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se tarifat për makinat dhe kamionët nga BE-ja do të rriten në 25 për qind, duke e akuzuar bllokun evropian se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.
Ndërkohë ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Evropa duhet të bëjë më shumë që të ofrojë siguri për vete.
“Ne, evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, ka thënë minsitri gjerman. Reagim i ngjashëm edhe nga NATO.
“Ky ndryshim vë në pah nevojën e Evropës për të vazhduar që të investojë më shumë në mbrojtje dhe të marrë më shumë përgjegjësi në sigurinë tonë të përbashkët, ne veçse po shohim përparim që kur aleatët u pajtuan të investonin 5 për qind të GDP-së”, shkroi në X zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.
Paraprakisht presidenti amerikan, Trump, ka ripërsëritur kritikat ndaj kancelarit gjerman, Merz, i cili ka thënë se Irani po e “poshtëronte” Uashingtonin në tryezën e negociatave. Trump tha se Merz “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore!”.
Pentagoni ka paralajmëruar se tërheqja e trupave amerikane do të përfundojë prej gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm.
