Botë

Zgjedhjet në Shqipëri, kandidatët për Tiranën, prezantojnë strategjitë për biznesin

09.06.2015 14:30

Kandidatët për Bashkinë e Tiranës janë mbledhur për herë të parë së bashku këtë të martë, në një aktivitet të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, me qëllim prezantimin e strategjive të tyre për biznesin....

Kandidati demokrat, Halim Kosova, ka deklaruar se për strategjinë e tij po punon me menaxherët më të mirë, të huaj e ndërkombëtarë. Kosova  ka vlerësuar se duhet të lehtësohen bizneset, si rruga e vetme për rritjen e ekonomisë. Ai ka shtuar më tej se bashkia e re do të ndërtojë stacionin multimodal, që sipas tij do t’u shërbejë qytetarëve, ndërsa ka premtuar edhe diferencimin e mbetjeve urbane.

“Po flas me menaxherët më të mirë, vendas e të huaj, për strategjinë ekonomike. Përqendrimi në bashkinë e ardhshme do të jetë si të hapen vende të reja pune. Ndërkohë, ulja e taksave do të jetë 30 për qind, pasi aq e lejon ligji, ndërsa do të ofrohen miliona dollarë fond garancie për të financuar bizneset”, ka thënë Kosova.

Kandidati i  majtë, Erjon Veliaj, ka deklaruar se strategjia e tij për zhvillimin përfshin ato reforma që kanë pasur sukses në qeverisjen qendrore.

Ish-ministri i Mirëqënies Sociale ka premtuar se brenda 100 ditëve të para Tirana do të ketë një plan zhvillimi konkret, që do të hartohet nga administrata e re e bashkisë.

“Strategjinë që ka funksionuar në qeveri do ta ushtroj edhe në Bashkinë e Tiranës. Iniciativa të suksesshme pranë qeverisë, si Këshilli Ekonomik, apo Këshilli i Punës janë thelbësorë për bashkinë”, ka deklaruar Veliaj.

Veliaj nuk i ka kursyer kritikat ndaj bashkisë aktuale, të cilën e ka cilësuar si të falimentuar kur ka thënë se mbledh vetëm 5 për qind të të ardhurave.

Prezantimit të strategjive i është bashkuar edhe kandidati i pavarur, Sazan Guri, i cili ka folur për një plan që do të mbështesë eko-biznesin.

“Do të nxisim ato biznese që kanë iniciativa e që respektojnë standardet e mjedisit. Për shembull kompanitë që përdorin energji alternative, që ndihmojnë në riparimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, etj”, ka thënë Guri.

Pas Kosovës, Veliajt dhe Gurit, strategjitë e tyre do t'i shpalosin edhe kandidatët e tjerë.