Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 3 ditë afat për regjistrimin e partive
Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë...

Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të detyruara që deri më 7 maj të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Ky obligim ligjor vlen për 53 partitë aktualisht të regjistruara, ndërsa nuk përfshin subjektet që synojnë të garojnë si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.
Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim pritet të hidhet më 16 maj 2026, në përputhje me kalendarin zgjedhor të miratuar nga KQZ-ja.
Emërimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve do të përfundojë deri më 8 maj, ndërsa lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj.
Votuesit jashtë vendit duhet të regjistrohen nga 6 deri më 17 maj dhe votimi me postë do të zgjasë nga 25 maji deri më 6 qershor.
Votimi fizik në konsullata dhe ambasada do të organizohet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Me miratimin e këtij plani, Kosova hyn zyrtarisht në një fazë intensive elektorale. Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor 2026.
