Maqedoni
Zjarr në Vizbeg të Shkupit, digjen vetura të vjetra në një pronë private
04.05.2026 13:27
Një zjarr i madh shpërtheu këtë pasdite në lagjen Vizbeg të Shkupit...

Një zjarr i madh shpërtheu këtë pasdite në lagjen Vizbeg të Shkupit, ku sipas informacionit, zjarri ka filluar në një pronë private në të cilën ishin ruajtur makina për skrap. Edhe pse në momente të caktuara se zjarri ishte vënë nën kontroll, i njëjti kohë pas kohe merrte hov të madh.
“Një zjarr i madh ka shpërthyer këtu në dalje të Shkupit, ku sipas QMK-së, nuk ka të lënduar e as të vdekur, por vetëm janë shkaktuar disa dëme të vogla materiale. Ky zjarr që nga orët e hershme të mëngjesit i ka shqetësuar qytetarët e kësaj zone të Shkupit dhe sipas ekipeve të zjarrfikësve, të njëjtit kanë reaguar me ekipe të mjaftueshme, sa për t’u lokalizuar zjarri, dhe për t’u vënë nën kontroll.”.
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, përmes një komunikate shkurt kanë njoftuar për zjarrin pa u dhënë detaje të hollësishme.
“Një zjarr shpërtheu në një parcelë toke në rrugën “1675” numër 24 në komunën e Shuto Orizarës.”, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave.
“Sot në ora 11:15 minuta në sektorin e MPB-së në Shkup, është lajmëruar se ka shpërthyer një zjarr në një deponi për grumbullimin e hekurit në Shuto Orizare. Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipe të zjarrfikësve dhe ekipeve të policisë. Tani janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit dhe zbardhje e rastit në tërësi.”, - theksoi Goce Andrevski nga MPB.
Sipas raportit, të marrë nëpërmjet numrit 112, një makinë për bluarjen e hekurit është djegur. Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit dolën menjëherë në terren dhe po punojnë në mënyrë aktive me të gjitha burimet e disponueshme për të shuar zjarrin. Paralelisht, në vendngjarje janë të pranishëm edhe inspektorë nga Qyteti i Shkupit.
“Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit menjëherë doli në terren me të gjitha automjetet, pajisjet dhe burimet njerëzore në dispozicion dhe po punon në mënyrë aktive për t’u përballur me zjarrin. Paralelisht, inspektorët e Qytetit të Shkupit janë gjithashtu në terren, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, si dhe Prokuroria Publike janë informuar për rastin. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të qetë, vigjilentë dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve kompetente.”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve.
FITIM KRYEZIU
