Azili i Gruevskit, Filipçe: A do të arrestohet Gruevski?

04.05.2026 15:09

Përvjetori i vdekjes së Goce Dellçevit...

Përvjetori i vdekjes së Goce Dellçevit është shndërruar në një përplasje të ashpër politike. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi VMRO-DPMNE-në për keqpërdorim të figurës dhe veprës së Dellçevit, duke theksuar se ideali i tij për një Maqedoni të lirë dhe të drejtë është tradhtuar nga pushteti aktual, të cilin e cilësoi të zhytur në korrupsion. Ai i kërkoi kryeministrit Hristijan Mickoski përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të arrestohet ish-kryeministri Nikola Gruevski.

“Nuk përgjigjet se a do ta burgosë Nikolla Gruevskin. Nuk përgjigjet në pyetjet kryesore, gjithcka është spin, është defokus. Vetëm një gjë do t’i thoja Goce Dellçevit, po të ishte gjallë me siguri do të luftonte kundër këtij grupi kriminal të pushtetit, me patriotin e rrejshëm në krye dhe shefin e këtij grupi kriminal Hristijan Mickoski.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Mickoski: Ligji vlen për të gjithë

Kryeministri Mickoski, nga ana tjetër, deklaroi se qëndrimi i Qeverisë në lidhje me sundimin e ligjit mbetet i pandryshuar, duke komentuar reagimet e fundit lidhur me statusin e Nikolla Gruevskit, dhe tha se kushdo që përballet me organet e drejtësisë ka të drejta në përputhje me ligjet.

“Sa i përket të thënave të LSDM-së, ekziston një procedurë ligjore dhe, natyrisht, të gjitha procedurat ligjore do të respektohen, kështu që Qeveria nuk ka standarde të dyfishta dhe absolutisht kushdo që beson në sundimin e ligjit do ta mbështesë këtë sjellje të Qeverisë. Ndërsa secili që përballet me organet e drejtësisë ka të drejtat e veta në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën dhe ato të drejta i janë në dispozicion.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Ministria e Drejtësisë: Procedurat po ndiqen sipas ligjit

Ministria e Drejtësisë njoftoi se vepron vetëm në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare në rastin e Nikolla Gruevskit. Sipas saj, po ndërmerren hapat e nevojshëm për kompletimin dhe përpunimin e dokumentacionit sipas procedurave ligjore.

Theksohet se informacionet po mblidhen nga gjykatat për të siguruar bazë të plotë ligjore, ndërsa Ministria nuk ka të drejtë të rishqyrtojë vendimet përfundimtare, por duhet t’i zbatojë ato.

Nga Ministria njoftojnë gjithashtu se procedurat po zhvillohen institucionalisht, në bashkëpunim me autoritetet hungareze dhe pa ndikim politik. (Armend Murseli, TVM2)