Maqedoni
Përvjetori i vdekjes së Dellçevit, përplasen partitë, VMRO: Fqinji mohon identitetin maqedonas
04.05.2026 15:27
Shënimi i 123-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit hapi tema të ndjeshme...

Shënimi i 123-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit hapi tema të ndjeshme mes partive politike maqedonase në vend, respektivisht, raportet me Bullgarinë, përkatësinë e kësaj figure historike, si dhe rrugën eurointegruese që ka ngelur peng i mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Kryeministri Mickoski thotë se fqinji lindor mohon identitetin e Goce Dellçevit dhe bashkë me të, edhe identitetin maqedonas. Për shefin e ekzekutivit, edhe qeveria e re në ardhje në Bullgari, nuk është shpresë për përmirësim të raporteve, ngaqë konsideron se ende ka struktura të brendshme politike dhe shoqërore që gjunjëzohen para pushtetit bullgar. Përsërit se linja e kuqe në bisedime me fqinjin lindor mbetet identiteti maqedonas.
“Kemi edhe ashtu vende që për fat të keq e mohojnë identitetit e të madhit maqedonas, Goce Dellçev, mohojnë identitetin shumëshekullor maqedonas. Në shekullin 21 akoma populli maqedonas ballafaqohet me këto sfida për të cilat nuk do të duhej të ballafaqohej, dhe, për fat të keq, në vend se të luftojmë për të ardhmen evropiane, ne hapim çështje nga e kaluara, dhe, për fat të keq, disa nga ato çështje janë me rrënjë nga mesjeta.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Bullgarët asnjëherë s’na kanë mohuar
Por, lidhja socialdemokrate ndan mendimin se Bullgaria nuk mohon identitetin maqedonas, gjersa akuzon kryeministrin se me vetëdëshirë s’bën asgjë në drejtim të aspiratave eurointegruese.
Zgjidhja, sipas kreut të partisë, Filipçe, është nënshkrimi i rezolutës së ofruar nga ky subjekt që përfshin interesat e përbashkët nacionale, ndryshimet kushtetuese dhe hapjen e negociatave. Për më tepër, Filipçe akuzon kryeministrin për krijim të armiqve artificial në fqinjësi.
“Ne nga Bullgaria asnjëherë nuk kemi dëgjuar se e mohon identitetin tonë dhe as që është bërë në kohën e qeverive të LSDM-së, diçka në Maqedoni që si rezultat të rrezikohej identiteti nacional. Ne e kemi një punë dhe dihet cila është rruga përpara, me qëllim që në të vërtetë t’i fillojmë negociatat, dhe ato janë ndryshimet kushtetuese. Është gënjeshtër atë qe e thotë Mickoski dhe VMRO. Pse? Sepse nuk do që vendi të shkojë përpara në Evropë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Për opozitën maqedonase, Mickoski erdhi në pushtet duke thënë se do ta ndryshojë kornizën negociuese, do të interesohet për pakicën maqedonase në Bullgari dhe së fundmi, si rezultat erdhi vetëm hyrja e tij në Qeveri.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
