Maqedoni
Filloi fushata “Maji – Muaji i Evropës”
04.05.2026 15:45
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali...

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, shënoi nisjen zyrtare të fushatës “Maji – Muaji i Evropës”, në një takim me ambasadorë të vendeve evropiane, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
“Me këtë iniciativë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut synon të shkojë përtej shënimit tradicional të Ditës së Evropës më 9 maj, duke e shndërruar tërë muajin maj në një platformë të përbashkët për promovimin e procesit të integrimit evropian dhe afrimin e tij me qytetarët.”, thuhet në kumtesën zyrtare.
Në fjalën e tij, ministri Sali ka theksuar se fokusi i kësaj fushate është zhvendosja e vëmendjes nga aspektet teknike të negociatave drejt përfitimeve konkrete që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian, përfshirë mundësi më të mëdha për të rinjtë, zhvillimin e infrastrukturës dhe mbështetjen për ekonominë lokale.
Gjatë muajit maj do të organizohen aktivitete të ndryshme dhe do të prezantohen histori suksesi nga projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian, të cilat tashmë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
