Kulturë
Kulturë, të dielën do të fillojë festivali “Mbrëmjet Operistike të Majit”
04.05.2026 16:21
Fundjava sjell hapjen e ngjarjes kulturore më të madhe operistike në vend...

Tradicionalisht, me tingujt e “Marshit Triumfal” nga “Aida” dhe ndezjen e flakës së festivalit, më 9 maj 2026 në Operën dhe Baletin e Maqedonisë do të hapet solemnisht edicioni i 54-të i festivalit “Mbrëmjet Operistike të Majit”. Flakën e festivalit do ta ndezë primadona operistike Ana Durlovski, artiste me karrierë ndërkombëtare dhe një nga emrat më të rëndësishëm të artit operistik.
Programi i festivalit këtë vit hapet me premierën e veprës “Motra Anxhelika” dhe Xhan Siki, pjesë e trilogjisë “Il trittico” të kompozitorit Xhakomo Puçini, me regjisorë, dirigjentë dhe solistë nga Italia. Rolin kryesor të Motër Anxhelika do ta interpretojë artistja italiane, Valentina Boi.
Programi i festivalit në këtë edicion pasohet nga kryevepra të njohura botërore operistike, Rigoleto nga Verdi, veprat e njohura Toska dhe Madam Batërfllaj nga Puçini, ku rol debutues ka tenori i ri shqiptar, Ismet Vejseli. Kryevepra e baletit, “Liqeni i Mjellmave” nga Çajkovski do të jetë pjesë e repertorit të festivalit në javën përmbyllëse. Ndryshe nga tradita e kahmotshme, festivali do të mbyllet më 27 Maj, me operën “Traviata” dhe “Nabuko” e kompozitorit Xhuzepe Verdi dhe jo me operën tragjike “Aida”, kjo e fundit sipas Operës dhe Baletit Nacional do të rikthehet si premier në edicionin e ardhshëm të festivalit.
Këtë vit është bërë një hap përpara jo vetëm në përzgjedhjen e repertorit, por edhe në drejtim të qasjes së përgjithshme drejt produksionit dhe cilësia që ofrohet, duke vendosur një balancë mes veprave që publiku i dëshiron, por njëkohësisht të ofrohet edhe një energji e re përmes premierave dhe zgjedhjeve të reja të produksioneve, njofton drejtori i këtij institucioni, Oliver Arsovski, i cili për këtë edicion ka veçuar nivelin e artistëve nga skena të mëdha evropiane.
ARLINDA BAFTIU
