Botë
Kosovë, partitë politike nisin përgatitjet për zgjedhje
04.05.2026 17:15
Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të obliguara...

Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të obliguara që në një afat prej 7 ditësh, përkatësisht deri më 7 maj, të njoftojnë KQZ-në, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë që aktualisht janë të regjistruara si parti politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.
Gjithashtu, partitë duhet të informojnë KQZ-në brenda afatit të përcaktuar nëse planifikojnë të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni. Sipas KQZ-së, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe sipas ligjit, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ-së.
Sa u përket koalicioneve apo pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhje, ajo që dihet është gatishmëria e ish-presidentes Vjosa Osmani për të garuar në një listë me LDK-në. Edhe Nisma e Fatmir Limajt ka shprehur gatishmëri për koalicion me PDK-në. Ndërsa nga Vetëvendosje thonë se ende është herët për të dhënë detaje rreth koalicionimeve.
"Unë mendoj se është shumë herët të flasim.", - theksoi Albulena Haxhiu nga LVV.
Partitë politike dhe koalicionet e interesuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit kanë afat për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputet deri me 12 maj.
GYLTENE SINANI
