Arsenal – Atletico Madrid, sonte vendoset finalisti i parë i kampionëve

05.05.2026 14:30

Sonte nga ora 21:00, Arsenal pret Atletico Madrid në Londër...

Sonte nga ora 21:00, Arsenal pret Atletico Madrid në Londër, në ndeshjen vendimtare të gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve, pas barazimit 1-1 në takimin e parë.

Arsenali dhe Atletiko Madridi në ndeshjen e parë  në “Metropolitano”, barazuan 1:1, ashtu që sonte në darkë ndeshjen do ta nisin nga e para.  

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta vjen në këtë përballje në formë shumë të mirë, duke qenë e pamposhtur në këtë edicion të Ligës së Kampionëve me 10 fitore dhe 3 barazime.

Londinezët mbështeten edhe në statistikat e forta në shtëpi, ku kanë humbur vetëm një nga 24 ndeshjet e fundit evropiane.

“Mezi pres. Dua të them, e ndjej energjinë brenda dhe midis ekipit, mbështetësve tanë, kështu që këto janë momentet që duam të jetojmë së bashku. Kishim shumë punë si klub, si ekip, pas 20 vitesh për të qenë përsëri në këtë pozicion dhe jemi shumë të uritur për të marrë ndeshjen që duam nesër dhe për të kaluar në finale.” – tha trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.

Në anën tjetër, ekipi i Diego Simeone synon rikthimin në finale për herë të parë që nga sezoni 2015/16. Madrilenët vijnë të motivuar pas fitores 2-0 në kampionat dhe njihen për forcën e tyre në ndeshjet me eliminim direkt, ku përvoja shpesh bën diferencën.

"Përvoja të jep më shumë qetësi, e cila nuk është pasivitet, por është qetësi. Dhe padyshim, qetësi shpirtërore për t'u përballur me një ndeshje si kjo.Kushdo që do të luaj më mirë do të ketë një shans më të mirë për të fituar. Dhe në atë hapësirë, secili me armët e veta, ne do ta  menaxhojmë do të përpiqemi të shfrytëzojmë sa më shumë  rastet tona. Sigurisht që edhe trajneri i Arsenalit do të përpiqet të shfrytëzojë sa më shumë të vetat." – deklaroi trajneri i Atletiko Madridit, Diego Simeone.

Të dyja skuadrat synojnë trofeun e tyre të parë në këtë kompeticion, duke e bërë këtë takim historik për secilin klub.

Fituesi i këtij çifti do të përballet në finalen e Budapestit me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes PSG dhe Bayern Munich. (Safet Ademi, TVM2)