K-15 për sektorin privat, shumë afër marrëveshjes
Filluan negociatat për pagesën e regresit vjetor të punëtorëve te Maqedonisë, apo e njohur ndryshe si K-15...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë dhe Organizata e Punëdhënësve zyrtarisht filluan bisedimet dhe pritet që gjatë kësaj jave ata t’i afrojnë qëndrimet e tyre për ndryshim dhe plotësim të marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin privat për dhënien e regresit vjetor.
Këto dy organizata thanë se do të prononcohen zyrtarisht pasi të arrijnë marrëveshje dhe se janë shumë afër gjetjes së një marrëveshjeje të mundshme.
"Nga ana e partnerëve social janë prezantuar qëndrimet për më shumë çështje, prej të cilave edhe për regresin për pushimin vjetor. Qëndrimet ishin të orientuara drejt çështjeve për mënyrën dhe lartësinë e pagesës së regresit për pushim vjetor në bazë të analizës të cilën e prezantuan partnerët social"- thuhet në kumtesën e lëshuar nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë.
Partnerët social kanë rënë dakord që bisedimet të vazhdojnë me qëllim të konfirmohen modalitetet, mënyra dhe lartësia për pagesë të regresit për pushim vjetor. Nga Lidhja e Sindikatave thonë se nga java e ardhshme do të dihen saktë detajet e kësaj marrëveshje.
Përndryshe, në këto bisedime nuk merr pjesë qeveria, sepse K-15 nuk është futur në asnjë kornizë ligjore, por është lënë të definohet me marrëveshjen e përgjithshme kolektive. (Rexhep Qamili, TVM2)
