Maqedoni
Rasti “IPARD”, u dënua me 10 muaj burg për ryshfet
05.05.2026 15:18
Ka përfunduar gjykimi për punonjësen zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë, Jasmina Kostadinova...

Ka përfunduar gjykimi për punonjësen zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë, Jasmina Kostadinova, për pranimin e ryshfetit prej 2.000 eurosh në rastin e keqpërdorimit të fondeve IPARD. Kostadinova u dënua nga Gjykata me dhjetë muaj burg pasi pranoi fajësinë.
“E akuzuara Jasmina Kostadinova ka kryer veprën penale pranim të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Gjykata e dënon me burgim efektiv me kohëzgjatje prej 10 muajve, ku në këtë kohë do t’i numërohet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 11.06.2025. E akuzuara e ka shfrytëzuar pozicionin e saj të brendshëm dhe njohjen e procedurave që t’i mundësojë tejkalim të kritereve ligjore, me çka drejtpërdrejt ka ulur autoritetin e administratës shtetërore. Këtë veprim e njëjta nuk e ka kaluar me një veprim, por në koordinim të vazhdueshëm në një periudhë më të gjatë kohore dhe ky ndikim në kontinuitet nga fundi i muajit shkurt deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2025, tregon në gatishmërinë e saj të paluhatur për të arritur një qëllim të paligjshëm dhe një shkallë të lartë të qëllimit kriminal.”, - u shpreh gjykatësja, Lenka Davitkova.
Kostadinova kishte kërkuar nga gjykata që t'i kthejë një pjesë të parave të sekuestruara që ajo pretendonte se ishin të sajat, por gjykata vendosi t'i sekuestrojë paratë që ishin pjesë e krimit, së bashku me telefonat celularë. Nga Prokuroria theksuan se vendimi i gjykatës është në kuadër të kornizave ligjore për këto vepra kriminale, dhe sipas ligjeve, këto vepra dënohen nga 1 deri më 10 vite.
“Vendimi i sjellë është në kuadër të ligjeve ekzistuese për këtë vepër penale. Për këtë vepër penale parashihet dënim me burg prej 1 deri më 10 vite. Gjykata ka përdorur edhe mekanizmat e uljes së dënimit. Pasi ta marrin vendimin e plotfuqishëm do të sjellim vendim. Ky vendim i gjykatës nuk është i plotfuqishëm, dhe akoma nuk dimë se a do të mbetet ky dënim, ajo mund të rritet, por edhe mund të zvogëlohet.”, - deklaroi prokurorja, Natasha Pop Trajkova.
Nga pala mbrojtëse e vlerësuan se masa e burgimit shtëpiak është në favor të saj.
“Është fakt se e akuzuara e ka pranuar veprën penale që është një virtyt i madh, veprim ky i cili ka ndikuar në peshën e dënimit, por akoma nuk kemi sjell vendim se a do të ankohemi.”, - theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.
Kostadinova është një nga 9 të pandehurit, i pandehuri i parë në këtë çështje është ish-ministri Xhevdet Nasufi, i cili, me një ryshfet të ofruar prej 50.000 eurosh, nënshkroi një marrëveshje për të përdorur para nga programi IPARD, edhe pse kompania e tij nuk i plotësonte kërkesat. Gjykimi i tyre do të vazhdojë më 11 maj.
FITIM KRYEZIU
