Botë
Zyrtarët e BE komentojnë zgjedhjet në Turqi
09.06.2015 15:39
Komisioni Europian mban një rol asnjanës kur vjen fjala për rezultatet e zgjedhjeve si në shtetet anëtare ashtu dhe në vende të tjera...

Por zgjedhjet parlamentare në Turqi u komentuan si për pjesëmarrjen ashtu edhe për përfaqësimin e partive të mëdha në parlament.
Në një deklaratë të përbashkët, shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogerine dhe komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn tha se “pjesëmarrja e lartë ishte shenjë e qartë e fuqisë së demokracisë dhe e rëndësishme është që të gjithë partitë e mëdha do të përfaqësohen në parlamentin e ri”.
Në analizën e saj me titull “Marrëdhenia BE-Turqi”, Dojce Vele shkruan se Mogerini dhe Hahn i referohen fitores së partisë pro-kurde, HDP që kaloi barrierën prej 10%, duke hyrë për herë të parë në Parlament.
Amanda Paul e “Qendrës për Politikë Europiane” tha se përfaqësuesit e BE-së privatisht i gëzohen humbjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, për shkak të shqetësimeve për prirjet autoritare të AKP-së dhe presidentit Erdoan.
Eurodeputeti Aleksander Graf e cilëson rezultatin “një refuzim të elektoratit për fantazitë e Erdoanit dhe islamizmit të jetës publike”.
Dojce Vele shkruan se “Erdoani e ka dëshmuar shumë herë se Bashkimi Europian dhe masat e saj nuk i interesojnë, por bllokimi i negociatave nuk ndodh vetëm prej Turqisë, por edhe nga qëndrimi i Gjermanisë dhe Francës".
