Botë

Zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani: Nuk kam kërkuar asnjë pozitë

05.05.2026 17:06

Pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kanë nisur edhe kalkulimet politike...

Pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kanë nisur edhe kalkulimet politike, të cilat duket se më së shumti zhvillime kanë shkaktuar në LDK.
 
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka shprehur gatishmëri që në zgjedhjet e 7 qershorit ta përfshijë në listë edhe ish-presidenten Vjosa Osmani, por ka pasur zëra brenda kësaj partie që e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Vet Osmani e pyetur nëse do të kandidojë si presidente apo vetëm si deputete, ajo tha se nuk ka kërkuar pozita nga askush.
 
“Nuk është mirë të spekulohet. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush.”, - theksoi ish-presidentja, Vjosa Osmani.
 
Rama koalicion me PDK-në në Prishtinë, LDK: Nuk kemi koalicion me asnjë parti në Prishtinë
 
Ndërkohë LDK-ja duket se ka mosmarrëveshje edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka njoftuar se po fillon një bashkëpunim të ri politik në kryeqytet me Partinë Demokratike të Kosovës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Rama njoftoi se Besianë Musmurati nga PDK-ja është emëruar në pozitën e nënkryetares së Prishtinës. 
 
“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike.”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. 
 
Por, LDK-ja nuk është dakord me koalicionin që kryetari i Prishtinës Rama, ka bërë me PDK-në. 
 
"LDK-ja njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe me asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani.", theksojnë nga LDK. 
 
Mulliqaj: Kosova ka nevojë për opozitë të re
 
Ndërkohë PDK-ja dhe AAK-ja deri më tani kanë thënë se do të garojnë të vetme në zgjedhje, derisa Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është herët të flasë rreth çështjes së koalicionit. Risi në zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë Partia Socialdemokrate e Dardan Mulliqajt, e cila ka nisur një iniciativë për të mbledhur nënshkrimet nga qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje. Mulliqaj, njëherësh ka kritikuar mënyrën e të bërit opozitë nga LDK, PDK dhe AAK, prandaj vlerëson se Kosovës i duhet një opozitë e re. 
 
"Kosovës i mungon opozita, Kosova nuk ka pas opozitë qysh duhet në këto vite të qeverisjes Kurti dhe ne e kemi shprehur tashmë qartë për herë të parë po ndodhë në Kosovë, ne ekskluzivisht po garojmë për të qenë opozitë në mandatin e ardhshëm.", - theksoi kryetari i PSD-së, Dardan Mulliqaj.
 
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare nuk arritën që brenda afatit kushtetues ta zgjedhin presidentin e shtetit.
 
GYLTENE SINANI