Bayern dhe PSG përballen në “Allianz arena”

06.05.2026 14:18

Ndeshja e parë gjysmëfinale në UEFA Champions League...

Ndeshja e parë gjysmëfinale në UEFA Champions League dhuroi spektakël të rrallë në “Parc des Princes”, duke u mbyllur me plot nëntë gola dhe duke hyrë në histori si gjysmëfinalja me më shumë gola në këtë kompeticion.

Në një përballje me ritëm të jashtëzakonshëm dhe emocione të vazhdueshme, Paris Saint-Germain triumfoi me rezultatin 5-4 ndaj Bayern Munich.

Fitorja i dha fund një serie prej pesë humbjesh për skuadrën franceze ndaj kampionëve gjermanë, duke përfshirë edhe disfatën 2-1 në fazën e ligës këtë sezon, ndërsa për Bayernin kjo ishte vetëm humbja e dytë në gjithë fushatën.

Plot shtatë lojtarë të ndryshëm shënuan në këtë duel mes dy skuadrave më produktive të këtij edicioni. Parisi ka realizuar 43 gola, ndërsa Bayerni 42, duke e bërë këtë herën e parë në historinë e kompeticionit që dy ekipe kalojnë shifrën e 40 golave në një sezon të vetëm. Rekordi historik prej 45 golash i vendosur nga Barcelona në sezonin 1999/2000 është tashmë shumë pranë.

Përballja e kthimit në “Fußball Arena München” pritet të sjellë sërish spektakël, pasi duhen edhe katër gola për të vendosur rekordin e çiftit më të shënuar në fazat me eliminim direkt. Në garën për golashënuesin më të mirë, Kylian Mbappé kryeson me 15 gola, i ndjekur nga Harry Kane me 13 dhe Khvicha Kvaratskhelia me 10.

Historiku i përballjeve favorizon lehtë Bayernin, me nëntë fitore ndaj shtatë të PSG-së në 16 takime, por diferenca minimale lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, e cila pritet të vendoset nga detajet. (Safet Ademi, TVM2)