Peticioni “Liri për çlirimtarët”, OVL - UÇK dorëzoi 200 mijë nënshkrime në Hagë

06.05.2026 15:15

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së...

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dorëzuar në Gjykatën Speciale në Hagë 200 mijë nënshkrime që janë firmosur nga qytetarët në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Peticioni “Drejtësi për çlirimtarët” e kanë nënshkruar edhe rreth 20 mijë qytetarë nga Maqedonia e Veriut, ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë, ka thënë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

"Liri për presidentin!"

Gjykata Speciale në Hagë zgjat afatin për shpalljen e aktgjykimit

Ndërkohë Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, në faqen e tyre zyrtare, është thënë se trupi Gjykues lëshoi një urdhër me të cilin shtyu afatin për shqiptimin e aktgjykimit me 60 ditë deri më 20 korrik 2026.

PDK: Po stërzgjatet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, e cila shpreh shqetësimin e saj lidhur me shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit.

"Kjo vonesë e pajustifikueshme është një dëshmi e radhës e këtij procesi të stërzgjatur, i cili e ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike. Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura.", theksojnë nga PDK, nga e cila i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare. (Gyltene Sinani, TVM2)