Maqedoni

Limani: Nuk e përfaqësoj më VLEN-in prej kohësh

06.05.2026 17:03

Edhe pse tensionet mes ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani...

Edhe pse tensionet mes ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, dhe koalicionit VLEN prej kohësh janë përkeqësuar, Limani sot e bëri të qartë se kjo ndarje ka ndodhur më herët, duke pranuar publikisht se prej një periudhe nuk e përfaqëson më këtë subjekt politik në funksionin e tij ministror.
 
“Moti kohë kemi përfunduar unë dhe VLEN-i.”, - theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani.
 
Këtë deklaratë ministri Limani e tha këtë në diskutimin “Investimi te fëmijët…”, ku u prezantuan prova se me reformimin e ndihmës financiare varfëria e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut mund të ulet deri në 6 pikë përqindjeje.
 
“Mesazhi kyç është i qartë: nevojitet një gjeneratë e re reformash të shtesave për fëmijë, me mbulim më të mirë, mbështetje më adekuate, orientim drejt fëmijës, por edhe lidhje më të fortë të mbrojtjes sociale me tregun e punës. Prandaj analizën e sotme e shohim si bazë për një reformë thelbësore. Një nga modelet që po shqyrtohen është vendosja e një shtese universale për çdo fëmijë, me efekte të dëshmuara në uljen e varfërisë dhe përmirësimin e gjendjes në tregun e punës. Paralelisht, po shqyrtohet edhe zgjerimi i mbulimit dhe rritja e shumës së shtesave ekzistuese.”, - deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani.
 
Diskutim mbi reformat e shtesave për fëmijë, UNICEF: Ndihma e qëndrueshme forcon familjet
 
Të pranishmit theksuan se varfëria e fëmijëve ndikon në shëndet, arsim dhe zhvillim duke dobësuar qëndrueshmërinë demografike përmes migrimit dhe uljes së lindshmërisë.
 
“Qëndrueshmëria demografike nënkupton krijimin e kushteve që familjet të rrisin fëmijët me siguri, dinjitet dhe besim në të ardhmen. Shtesat e sigurta dhe të parashikueshme për fëmijë janë thelbësore, pasi ndihmojnë në përballimin e presioneve ekonomike, parandalimin e varfërisë dhe mbrojtjen e investimeve në zhvillimin e fëmijëve, që janë bazë për fuqinë punëtore të ardhshme dhe kapitalin njerëzor afatgjatë.”, - theksoi përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miller.
 
Analiza propozon dy modele për ndihmën e fëmijëve. Një shtesë universale dhe një sistem të përforcuar sipas të ardhurave me përfitime më të larta.
 
Sipas ministrisë, të dyja mund të ulin varfërinë e fëmijëve deri në 6 pikë përqindjeje. Qëllimi është mbështetje më e drejtë dhe më efikase për çdo fëmijë dhe rritjen e punësimit të grave.
 
ARMEND MURSELI