Volejboll - Liga Europiane, përfaqësuesja nisi përgatitjet në Krushevë
Përfaqësuesja e volejbollit të Maqedonisë...

Përfaqësuesja e volejbollit të Maqedonisë, në drejtimin e trajnerit Joshko Milenkoski, nisi përgatitjet për ndeshjet në Ligën Evropiane.
Në stërvitjen e parë në Krushevë u paraqitën 18 volejbollistë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A dhe ata shihen si pjesë e së ardhmes së ekipit përfaqësues.
Volejbollistët që luajnë jashtë vendit, Gjorgjiev, Milev, Ljaftev, Savovski, Manxhukov dhe Arsov, do t’i bashkohen ekipit më 13 maj në Shkup.
Ndryshe nga vitet e mëparshme kur pjesëmarrja në Ligën Evropiane konsiderohej si përgatitje për ndonjë garë tjetër, tani kjo pjesëmarrje merret seriozisht, sidomos për faktin se është pjesa e parë e ciklit kualifikues për kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2028.
Maqedonia në qershor do të zhvillojë ndeshjet e Ligës Evropiane, ku do të përballet me përfaqësueset e Holandës, Greqisë, Luksemburgut, Islandës, Kosovës dhe Izraelit. (Safet Ademi, TVM2)
