Kulturë

Teatri shqiptar në Shkup, u prezantua shfaqja “Përtej hekurave”

07.05.2026 18:08

Figura e Ukshin Hotit, intelektualit dhe veprimtarit politik shqiptar...

Figura e Ukshin Hotit, intelektualit dhe veprimtarit politik shqiptar, rikthehet në vëmendje përmes një realizimi artistik që synon ta sjellë jo vetëm si emër historik, por edhe si njeri, mendimtar dhe simbol të qëndresës.
 
Në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup u shfaq premiera e shfaqjes “Përtej hekurave”, në të cilën regjisori ka kërkuar ta trajtojë Ukshin Hotin përtej kronologjisë së zakonshme, duke e vendosur në një dimension më të gjerë filozofik, politik dhe njerëzor.
 
“Qëllimi ynë ka qenë ta sjellim Ukshin Hotin si figurë të mendimit, të qëndresës dhe të kujtesës sonë kolektive.”, - theksoi regjisori, Naser Shatrolli. 
 
Në qendër të këtij rrëfimi nuk është vetëm historia publike e Ukshin Hotit, por edhe pesha emocionale që ajo bart për familjen. Djali i tij, Andin Hoti, e sheh këtë realizim si një mundësi që brezat e rinj ta njohin më thellë figurën e babait të tij dhe mesazhin që ai la pas.
 
“Për mua është shumë e rëndësishme që figura e babait tim të mos harrohet, por të kuptohet nga brezat e rinj.”, - u shpreh djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti.
 
Përmes këtij projekti, kujtesa për Ukshin Hotin nuk mbetet vetëm pjesë e së kaluarës. Ajo kthehet në thirrje për reflektim mbi sakrificën, identitetin dhe përgjegjësinë shoqërore. Autorët e realizimit thonë se mesazhi kryesor është ruajtja e kujtesës historike dhe vlerësimi i figurave që kanë lënë gjurmë në jetën politike e intelektuale shqiptare.
 
Në rolin e Ukshin Hotit luajti aktori Ylber Murtezi, ndërsa krahas tij u paraqitën edhe Genci Mirzo në rolin e Ismail Kadaresë dhe Visar Etemi në rolin e Gardianit. Shfaqja rikthehet me reprizë më 15 maj.
 
ARDITA RAMADANI