Ekonomi
Banka Popullore këtë vit pret inflacion prej 4% dhe rritje të BPV-së 3.5%
07.05.2026 18:25
Ekonomia botërore vazhdon të përballet me rreziqe të konsiderueshme...

Ekonomia botërore vazhdon të përballet me rreziqe të konsiderueshme, prandaj pas rritjes prej 3.4% në vitin 2025, pritet një ngadalësim i moderuar i rritjes globale, e cila do të zbresë në 3.1% në vitin 2026, ndërsa inflacioni global është në rritje, thuhet në Raportin tremujor të Bankës Popullore.
Projeksioni për rritjen e Bruto Prodhimit Vendor këtë vit është ulur në 3.5 për qind, ndërsa inflacioni pritet të jetë 4 për qind. Burim kryesor i pasigurisë mbeten konfliktet gjeopolitike, veçanërisht përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme, që ndikon ndjeshëm në çmimet e produkteve bazë dhe rrjedhat tregtare. Por, guvernatori Sllavevski thotë se nuk ka vend për shqetësim.
“Pritet, kuptohet për ne, rritje e inflacionit të importuar. Inflacioni botëror do të përshpejtohet këtë vit për shkak të luftërave, në rritjen e çmimit të produkteve bazë. Sa i përket ekonomisë vendore, inflacioni pritet të arrijë rreth 4% në vitin 2026, ndërsa stabilizimi do të jetë më i ngadaltë për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Në periudhën e ardhshme pritet ulje graduale e inflacionit në rreth 3% në vitin 2027 dhe kthimi i tij drejt mesatares historike prej 2% në afat të mesëm, nën ndikimin e pritjeve të ankoruara inflacioniste dhe presioneve të kufizuara nga kërkesa e brendshme. Në këto kushte, projeksionet për ekonominë vendore tregojnë për një rimëkëmbje ekonomike të moderuar, por stabile. Pritet rritje e BPV-së prej 3.5% në vitin 2026 dhe përshpejtim i saj duke arritur në 3.8% në vitin 2027. Ndërkohë, shtytës kryesor do të vazhdojnë të jenë investimet, veçanërisht projektet publike infrastrukturore, si dhe rimëkëmbja graduale e kërkesës së jashtme.”, - deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
Sistemi bankar vazhdon të ofrojë mbështetje solide për ekonominë. Në tremujorin e parë të vitit 2026, aktiviteti kreditor shënoi rritje vjetore prej 13.1%, me pritje për ngadalësim të moderuar deri në fund të vitit. Baza e depozitave vazhdon të rritet në mënyrë solide, gjë që tregon besim të qëndrueshëm dhe kushte të favorshme për kursim.
Në afat të mesëm, gjatë viteve 2027–2028, pritet rritje mesatare e kredive prej rreth 7.4%, krahas rritjes së bazës së depozitave dhe në kushte të një sistemi bankar stabil dhe solid.
FITORE NAGAVCI
