Maqedoni
Familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”: deklaratat e Zoran Zaevit nuk janë korrekte
09.06.2015 17:46
Deklaratat e kryetarit të opozitës, Zoran Zaev, sa i përket shtyrjes së publikimit të përgjimeve për rastin “Monstra”...

Deklaratat e kryetarit të opozitës, Zoran Zaev, sa i përket shtyrjes së publikimit të përgjimeve për rastin “Monstra” nuk janë korrekte dhe me këtë po humbet durimi i shqiptarëve, shprehet Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve në rastin “Monstra”.
Nuk di nëse kjo është paralajmërim se Zaevi do të tërhiqet nga publikimi i së vërtetës për rastin “Monstra”, por mirë është të mos taktizojë dhe atë ta thotë qartë dhe publikisht, tha Ajdari.
“Unë nuk mund t’i lexoj qëllimet e huaja, por aq sa di unë deklaratat nuk janë korrekte dhe nuk më pëlqejnë. Ne për tre vite jo vetëm si të burgosur, por edhe ne si familjarë po i vuajmë pasojat. Sipas meje, nëse zotëri Zaev do të tërhiqet, është shumë korrekte të dalë publikisht dhe ta thotë, ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Do ta kisha lutur të mos e humb kuptimin fjala “drejtësi” për Maqedoninë, menjëherë t’i shpalosë, atë që ka për ta thënë le ta thotë. Nuk e di a ka qenë i burgosur ndonjëherë zotëri Zaev, por mos të taktizojë se po humb durimi te familjarët, shpresat”- deklaroi familjari, Bedri Ajdari.
Ajdari tha se nuk ekziston drejtësia në Maqedoni, pasi sikurse të kishte ekzistuar e njëjta, nuk do të ndodheshim në këtë krizë politike.
Ai tha se edhe si familjarë, por edhe si Këshill Organizativ për Rastin “Monstra”, do t’i përkrahin protestat e paralajmëruara si gjithëshqiptare, më 13 qershor, dhe do të kërkojnë përkrahjen dhe mbështetjen e popullit për realizimin e të drejtave.
Ne shqiptarët kemi qenë dhe jemi viktima të montimeve të shumta politike dhe nëpërmjet protestave shpresojmë të zbardhet fati i familjarëve tanë dhe rasteve të tjera, thonë nga Këshilli Organizativ, duke përshëndetur faktin se protesta do të zhvillohet pa emblemë partiake.
Ndryshe, Zaev dje deklaroi se përgjimet për rastin “Monstra” për shkak të ndjeshmërisë së tyre nuk do t’i publikojë para protestave dhe pa mbaruar bisedimet për krizën politike në vend.
FLORIJE KAMBERI
