Maqedoni

Bullgaria bëhet me Qeveri, Mickoski: S’presim zbutje raportesh, LSDM-ja përkulet

08.05.2026 17:05

Pas viteve të paqëndrueshme zgjedhore, qeverive afatshkurtra...

Pas viteve të paqëndrueshme zgjedhore, qeverive afatshkurtra, Bullgaria zgjodhi Qeverinë e re të rregullt nën udhëheqjen e ish-presidentit Rumen Radev, i cili, sipas deklaratës së tij, nga e hëna fillon me propozim-projekte me çështje të rëndësishme për bullgarët.
 
Derisa fqinji lindor bën përgatitjet e ekzekutivit të ri, krerët shtetërorë të vendit tonë përcjellin qasjen e Sofjes bullgare në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe. Kryeministri Mickoski sërish thotë se nuk pret ndonjë përmirësim raportesh, dhe, sipas tij, kjo për arsye të përkuljes nga LSDM-ja,  të cilën e akuzon për mosmbrojtje të interesave nacionale maqedonase. Shefi i Qeverisë nuk heziton për ta ftuar Radevin në bisedë në nivel homologu.
 
“Nuk pres përmirësim, sepse derisa ka kotele nga LSDM-ja që përkulen, që i shesin interesat nacionale, nuk pres përmirësim. Në vend se të rreshtohen me ne dhe të luftojnë për interesat nacionale, këto kotele janë vendosur që të përkulen atje. Sa i përket zotëri Radevit, sapo fitoi iu lajmërova, e urova dhe i dëshirova që të kemi marrëdhënie fqinjësore të suksesshme, dhe, shpresoj se me këtë qeveri do t’i përmirësojmë marrëdhëniet fqinjësore dhe të bisedojmë për temat që duhet biseduar.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Siljanovska Davkova: Radevi është stabil, raportet mes nesh varen nga ai
 
Edhe presidentja e shtetit, Siljanovska Davkova, me besim se përfundimisht në fqinjin lindor po sigurohet bashkëbisedues stabil për të biseduar, por si do të vijojnë negociatat, varet nga politikanët bullgarë, tha e para e shtetit.
 
“E di se populli bullgar pret stabilitet, reforma, luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Deri më tani qeveritë ishin jostabile, nuk kishin përgjegjësi, i ngjanin republikave të treta, të katërta franceze, ndërkaq ne do të kemi bashkëbisedues stabil më të cilin do të mund të bisedojmë. Unë mund të them se përherë me mirëbesim bisedoj, por, a pres përmirësim të raporteve, do të varet nga bashkëbiseduesit.”, - theksoi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Fitorja e Rumen Radevit në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 në Bullgari shënon një rëndësi politike për vendin tonë, por, megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë në raportet mes Sofjes dhe Shkupit mbeten të ulëta, duke i ditur mosmarrëveshjet për gjuhën, kulturën dhe identitetin mes dy shteteve, si dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që i hap rrugën zhvillimit të negociatave me BE-në.
 
Përkujtojmë deklaratat e mëhershme të Radevit, kur ka thënë se Shkupi mund të përparojë drejt integrimit, vetëm nëse zbaton kërkesat e kompromisit të vitit 2022, nën vendimin e Bashkimit Evropian.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU