Maqedoni

Katër liderët nesër udhëtojnë për në Bruksel për t’i dhënë fund krizës politike

09.06.2015 18:04

Nesër pasdite, në selinë e Komisionit Evropian eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, do të presë në takim katër liderët e partive politike në vend, Gruevskin, Zaevin, Ahmetin dhe Thaçin...

Nesër pasdite, në selinë e Komisionit Evropian eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, do të presë në takim katër liderët e partive politike në vend, Gruevskin, Zaevin, Ahmetin dhe Thaçin, të cilët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
 
Nga takimi pritet që nesër të arrihet marrëveshje për çështjet kontestuese mes palëve, si dhe për tejkalimin e krizës politike.
 
Në bisedimet e nesërme pritet që përfaqësuesit e partive politike t’i paraqesin edhe kërkesat e tyre për  një marrëveshje të plotë.
 
Sipas burimeve nga Komisionit Evropian, pritet që me marrëveshjen  e nesërme të arrihet konkluzë për të gjitha pikat që kanë shkaktuar krizë politike në vend.
 
Edhe zëdhënësja e Komisioni Evropian, Maja Koçiançiq, dje deklaroi se nesër në Bruksel do të shtrohen çështje të cilat nuk janë prekur më parë, në përpjekje për të tejkaluar krizën. 
 
Takimi vjen pas marrëveshjes së arritur më  2 qershor në Shkup,  ku përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në vend, nga blloku maqedonas dhe ai shqiptarë, u dakorduan që deri në muajin prill të vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e në ndërkohë të zgjidhet kriza politike, si dhe të arrihet zgjidhje politike dhe gjyqësore për aferën “Puç” dhe për përgjimet.
 
Por, takimi i nesërm vjen edhe pas një mosmarrëveshje në relacionin Han-Zaev lidhur me vlerësimin e eurokomisarit për zgjedhjet e kaluara, që çoi deri në qëndrimin paraprak të liderit socialdemokrat për mospjesëmarrje në takimin e nesërm, qëndrim të cilin Zaev e ndryshoi pas një bisede telefonike me eurokomisarin. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU