Maqedoni
Gostivar, asfaltohet rruga Sërmnovë-Gjenovicë
09.06.2015 18:13
Komuna e Gostivarit ka filluar projektin më të madh deri tani në malësinë e Gostivarit, që është realizuar në dekadat e fundit...

Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës Sërmnovë-Gjenovicë.
Vlera projektuese e investimit është 400.000 euro dhe fondet janë siguruar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rekonstruim nëpërmjet Agjencisë së Rrugëve të Republikës së Maqedonisë, kurse gjatësia e rrugës që do asfaltohet është mbi katër kilometra me gjerësi deri në pesë metra.
I pranishëm në fillimin e punimeve, kreu i Gostivarit, Nevzat Bejta, premtoi se punët nuk do të zgjasin më shumë se rreth një muaji, duke shtuar më tej se kjo rrugë është e një historie të veçantë, pasi do lidhen shumë fshatra të malësisë dhe pos qarkullimit më të lehtë për banorët e kësaj ane, do të kompensohet edhe në kohë.
Banorët e fshatit Gjenovicë, prej aty edhe ku kanë filluar punimet, thonë se kjo ka qenë kërkesë e kamotshme e tyre, andaj dhe se pos afërsisë mes fshatrave të malësisë kjo rrugë do të ndikojë edhe për ekonominë e kësaj ane.
Rruga Gjenovicë–Sërmnovë do të asfaltohet komplet, ndërsa së shpejti pritet të fillojë edhe asfaltimi i rrugës Simnicë-Cerovë me gjatësi prej 1.3 kilometra.
Me asfaltimin e këtyre dy rrugëve do të lehtësohet qarkullimi i banorëve të malësisë së Gostivarit, por edhe do të lidhen këto vendbanime me magjistralen Gostivar–Kërçovë.
LULZIM HAZIRI
