Maqedoni
Punëtorët e falimentuar mund ta blejnë stazhin
09.06.2015 18:26
Qytetarët të cilët kanë qenë të punësuar dhe të paraqitur për sigurim të detyrueshëm social, mirëpo kanë mungesa në stazh...

Qytetarët të cilët kanë qenë të punësuar dhe të paraqitur për sigurim të detyrueshëm social, mirëpo kanë mungesa në stazh, pasi pagesa e kontributeve nuk është realizuar nga punëdhënësi, do të munden që vetë ta blejnë stazhin, përkatësisht vetë të bëjnë pagesën e kontributeve dhe të fitojnë të drejtën për sigurim pensional dhe invalidor.
Këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë të gjithë të punësuarit deri në datën 31 dhjetor të vitit 2008.
Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me të cilin mundësohet blerja e stazhit.
“Do t’u ndihmojmë një numër të madh të qytetarëve, të cilët kryesisht në periudha tranzicioni, ose për shkak të mbylljes së kompanive në falimentim ose likuidim, jo vetëm që i humbën vendet e punës, por nuk u janë paguar asnjë pjesë e kontributeve për sigurim pensional dhe invalidor për periudhën që kanë punuar”- deklaroi ministri për punë dhe politikë sociale, Dime Spasov.
Sipas tij, me ndryshimet në ligj futet masa vullnetare në periudhë prej një viti, për të gjithë ata që duan të parashtrojnë kërkesë në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, që të mund të paguajnë stazhin mbi normë preferenciale prej 50 për qind të bazës për llogaritjen dhe pagesën e kontributeve.
Një muaj do të kushtojë rreth 2800 denarë. Sipas propozuesit të ndryshimeve në ligj, kjo do të jetë një mënyrë për të blerë stazhin dhe për të hyrë në bazën për llogaritjen e pensionit në të ardhmen.
Supozohet se nga ky ndryshim ligjor do të përfitojnë rreth 20 mijë qytetarë, të cilëve u mungojnë disa muaj, ose pak vite stazh për të fituar të drejtën për pension.
Nëse personi që ka nisur procedurën për të blerë stazh ndërron jetë, pagesën mund ta bëjnë familjarët, ndërsa të drejtën e shfrytëzimit të pensionit mund ta fitojnë anëtarët të cilëve kjo e drejtë u takon konformë ligjit, si bashkëshortja ose fëmijët, të cilët ndjekin procesin arsimor.
SHPËTIM NUREDINI
