Maqedoni
Integrimi Evropian, BE-ja kërkon reforma nga vendet kandidate për avancim
11.05.2026 14:14
Vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë me reformat për të bërë përparim drejt anëtarësimit në BE..

Vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë me reformat për të bërë përparim drejt anëtarësimit në BE, theksoi Këshilli për Punë të Jashtme i BE-së në Bruksel. Vendet kandidate kanë kërkuar bashkëpunim më të madh me BE-në, veçanërisht për parandalimin e sulmeve kibernetike dhe se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Evropë.
“Diskutuam për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor dhe reformat që duhet të bëhen për të ecur përpara me zgjerimin, si dhe për bashkëpunimin për t’u përballur me sulmet kibernetike që ekzistojnë edhe në vendet e rajonit dhe që përbëjnë kërcënim për demokracitë e tyre, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes së BE-së.”, - deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
“Kemi një mesazh të qartë se vendi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Zgjerimi është prioritet për BE-në dhe nëse kandidatët i përmbushin detyrimet, edhe ne duhet të përmbushim tonat. Pres një përkushtim të fortë nga të gjithë kandidatët për të qëndruar fort në rrugën evropiane.”, - theksoi komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.
Ministri i Jashtëm, Timço Muçunski, tha se është koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit, duke theksuar se zgjerimi mbetet prioritet i përbashkët dhe se reformat janë kyçe për përparimin në këtë proces.
“Zgjerimi është prioritet si për BE-në, ashtu edhe për vendet kandidate. Duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të dalin nga ‘zona gri’ e Evropës dhe të kenë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit. Vendi im ka arritur rezultate të dukshme në zbatimin e agjendës reformuese. Jemi 100 për qind të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes së BE-së, që nënkupton reforma dhe qasje strategjike. Kërkesa jonë është heqja e bilateralizimit të kritereve të anëtarësimit.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunski.
Në Nikozia, në një takim joformal të ministrave për Çështje Evropiane, vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor iu janë shpjeguar kërkesat për negociatat në grupin e parë të kapitujve – “bazat”.
“Në fokus të bisedimeve me vendet kandidate ishin themelet, klasteri i parë, demokracia dhe sundimi i ligjit. Për Qipron është e qartë se një Bashkim Evropian më autonom dhe më i sigurt është një BE e zgjeruar. Partnerët që japin rezultate i përkasin BE-së.”, - theksoi zëvendësministrja për Çështje Evropiane e Qipros, Marilena Rauna.
BE-ja pritet që deri në fund të muajit të publikojë raportet e progresit për vendet kandidate për anëtarësim.
FARIJE DAUTI BAKIU
