Maqedoni
Hoxha paralajmëron miratimin e ligjit për natyrën, Hoxha: Do të pastrohen mbeturinat e rrezikshme në Llojan
13.05.2026 14:28
Me miratimin e ligjit për natyrën, pritet forcim i sistemit për mbrojtjen e natyrës...

Me miratimin e ligjit për natyrën, pritet forcim i sistemit për mbrojtjen e natyrës, përmirësimi në menaxhimin e resurseve natyrore, harmonizimi me direktivat evropiane dhe përmbushja e obligimeve ndërkombëtare të shtetit në fushën e mjedisit jetësor dhe bio-diversitetit. Kështu deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, duke e vënë theksin te ndërtimi i qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave.
“Ndërtimi i Qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave mbetet në fokus të punës të MMJPH. Procedura për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për realizimin e këtij projekti është në fazën përfundimtare dhe shpresojmë se do të përfundojë me sukses dhe do të fillojë ndërtimi i kësaj Qendre Rajonale për grumbullimin e mbeturinave, si dhe do të realizohet me mjete të siguruara nga Bashkimi Evropian nga IPA Fondet. Me realizimin e projekteve për ndërtimin e Qendrave Rajonale në Shën Nikollë, Rusino dhe Novaci, do t’u vijë fundi deponive të egra të cilat janë nëpër komunat tona, sepse komunat do të kenë se ku do ta dërgojnë mbetjet të cilat u grumbullohen në ato komuna.”, - deklaroi ministri i MMPJH-së, Muhamet Hoxha.
Ministri Hoxha po ashtu u ndal edhe tek problemi me mbeturinat e rrezikshme minerale, në Llojan që kanë mbetur nga ish-miniera në këtë fshat të komunës së Likovës.
“Është në fazën e para shpalljes së zgjidhjes së koncesionerit, i cili do të bëjë pastrimin e kësaj pike të nxehtë në Llojan, ku si Qeveri kemi miratuar vendimin për realizimin e shpalljes mu pikërisht nga ana e Ministrisë së Energjetikës, dhe e njëjta duhet të vazhdoj me procedurat e mëtutjeshme për përzgjedhjen e koncesionerit, i cili do të bëjë edhe pastrimin e kësaj pike të nxehtë në Llojanë.”, - theksoi ministri i MMPJH-së, Muhamet Hoxha.
Derisa banorët ankohen për pasoja shëndetësore dhe ndotje të vazhdueshme, në zonë ka sasi të mëdha mbetjesh me përmbajtje arseni dhe metalesh të rënda, vendi nuk ka deponi për mbetje të tilla të rrezikshme.
FITIM KRYEZIU
