Kriza energjetike, Mickoski: Kemi çmimet më të ulëta në rajon

17.05.2026 15:08

Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë çmimet më të ulëta....

Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë çmimet më të ulëta në rajon për benzinën dhe naftën, pas vendimit të qeverisë për të zgjatur masat fiskale që ulin barrën mbi karburantet. Kryeministri Hristijan Mickoski tha nga Vinica se ulja e TVSH-së nga 18 në 10 për qind dhe reduktimi i akcizës do të vazhdojnë deri më 1 qershor. Sipas tij, masa synon të mbrojë standardin e qytetarëve dhe të mbajë stabilitetin e çmimeve të energjisë.

“Jo vetëm që kemi siguruar çmimet më të ulëta të karburanteve, si për naftën ashtu edhe për benzinën, por në praktikë po u ofrojmë çmime më konkurruese edhe vendeve fqinje. Një pjesë e madhe e qytetarëve nga veriu, perëndimi dhe jugu vijnë për t’u furnizuar me karburant në vendin tonë.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Filipçe: Deficiti rritet, inflacioni rritet

Ndërkohë Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka akuzuar se shteti përballet me probleme serioze financiare dhe se Qeveria, përmes menaxhimit të dobët, e ka sjellë buxhetin në një gjendje alarmante.

Ai tha se huamarrja e re prej 260 milionë eurosh është dëshmi e “boshllëkut të madh në buxhet”.

“Deficiti rritet, inflacioni rritet dhe diferenca mes të hyrave dhe shpenzimeve është e madhe. Kjo tregon se gjendja në buxhet është vërtet e keqe dhe se shteti shkon drejt një krize financiare. Qeveria ka kërkuar një kredi prej 300 milionë eurosh, por nga bankat ka arritur të sigurojë vetëm 260 milionë euro, që tregon rënie të besimit në politikat ekonomike të pushtetit”  - deklaroi Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Mickoski: Te ne goditja s’është aq e madhe

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se Qeveria po punon aktivisht në ribalancin e buxhetit për vitin 2026.

Ai theksoi se deri tani janë realizuar rreth 230 milionë euro investime kapitale, ndërsa shteti këtë vit duhet të shlyejë rreth tre miliardë euro borxhe dhe interesa.

“Sfidat janë të mëdha dhe po shohim çfarë po ndodh në botë, por te ne goditja nuk është aq e madhe. Do të gjejmë zgjidhje optimale për të vazhduar investimet kapitale dhe për të përmbushur të gjitha obligimet. Konsultimet mes Ministrisë së Financave dhe resoreve të tjera ende po vazhdojnë dhe do të ketë mjete si për investime kapitale, ashtu edhe për pagesën e rregullt të pagave, pensioneve dhe transfereve sociale.” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mickoski i cilësoi akuzat e opozitës për mungesë likuiditeti si të motivuara politikisht dhe të pabazuara, duke shtuar se shteti nuk është në rrezik dhe se është trashëguar me borxhe të mëdha dhe buxhet të zbrazët. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)