Rajon
FMN: Kosova, vendi i dytë më i varfër në Evropë
18.05.2026 13:03
Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2025 të publikuar nga Platforma Wolrd Atlas...

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2025 të publikuar nga Platforma Wolrd Atlas, Kosova renditet e dyta si vendi më i varfër në Evropë, pas Moldavisë.
Murati: Ishim të fundit, po shënojmë rritje
Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova megjithatë po shënon ngritje, pasi në qeverisjet e kaluara ka qenë e fundit, ndërsa aktualisht është ngushtuar diferenca me vendet tjera.
“Nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shkuar duke u rritur, pra vendet tjera i kanë ik Kosovës, kurse tash lëre që e kemi ngushtuar diferencën, por edhe e kemi kaluar një shtet dhe presim që shumë shpejt ky trend të vazhdojë dhe nëse vazhdon ky trend dhe qeverisja e mirë e punët e mira t’i kalojmë edhe shtetet e tjera.”, - deklaroi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Hamza: Qytetarët e kanë çdo ditë e më vështirë
Por, këtë qëndrim nuk e ndan kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sipas të cilit ky lajm është shqetësues për gjendjen sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
“Kjo është pasqyra e përditshmërisë së familjeve tona, e qytetarëve që po e kanë çdo ditë më të vështirë ta përballojnë jetën e të rinjve që po e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen këtu. Viteve të fundit, energjia e pushtetit është harxhuar në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës.”, - theksoi kreu i PDK-së, Hamza.
Bajrami: Kosova, vendi më i varfër në rajon
Kritikat në adresë të Qeverisë nuk i ka kursyer as Hykmete Bajrami nga LDK, sipas së cilës derisa kryeministri Kurti prej gjashtë vitesh e ka gojën plot propagandë për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, Kosova po përballet me varfëri të thellë.
“Situata është edhe më shqetësuese sesa duket. Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarësh në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon.”, - theksoi Hykmete Bajrami nga LDK.
ARLINDA BAFTIU
