Turneu “Masters 1000” në Romë, Sinner shkruan historinë e tenisit

18.05.2026 17:05

Tenisti italian Sinner fitoi turneun Masters 1000 të Romës. Kjo është hera e parë për të që fiton në turneun e shtëpisë, 50 vite nga hera e fundit që një italian fitonte në kryeqytet. Panatta kishte triumfuar 1976-tën...

Italiani Jannik Sinner i dha fund pritjes gjysmëshekullore për një fitues italian të Mastersit të Romës dhe me fitoren 2:0 në seta (6-4, 6-4) në finalen e së dielës kundër norvegjezit Casper Ruud u bë tenisti i dytë në histori, pas Novak Gjokoviqit, që ka fituar të paktën një titull në të nëntë turnetë aktuale të serisë Masters 1000.

Po ashtu kjo është hera e parë për të që fiton në turneun e shtëpisë, 50 vite nga hera e fundit që një italian fitonte në kryeqytet (Panatta 1976).

Kjo ishte fitorja e pestë e Sinnerit në po aq përballje direkte me Ruudin, si dhe e 34-ta radhazi në turnetë Masters 1000, me çka e zgjati këtë seri rekorde.

Në moshën 24-vjeçare ai u bë edhe më i riu që ka fituar të nëntë turnetë Masters 1000, ndërsa përmirësoi edhe një rekord tjetër personal, pasi ky ishte triumfi i tij i gjashtë radhazi në këtë nivel turneu, ku nuk ka humbur që nga Shangai i vitit të kaluar. (Safet Ademi, TVM2)