Maqedoni
LOE në Kongresin e 9-të botëror të odave në Torino
10.06.2015 11:59
Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOE) në mënyrë tradicionale edhe gjatë këtij viti bashkë me Agjencinë për investime të huaja...

Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOE) në mënyrë tradicionale edhe gjatë këtij viti bashkë me Agjencinë për investime të huaja dhe promovimin e eksportit (ASIPI) do të jenë pjesë e Kongresit të 9-të botëror të odave që sot deri më 12 qershor mbahet në Torino të Italisë.
Kongresi botëror i odave është i organizuar nga ICC World Chambers Federation. Në të do të marrin pjesë pjesëmarrës nga 120 vende të botës, 1600 përfaqësues të odave ekonomike, ndërsa do të mbajnë fjalim mbi 100 bashkëbisedues liderë në fushat e tyre. Kongresi mbahet çdo dy vjet në rajone të ndryshme të botës.
Kongresi botëror i odave është forumi i vetëm ndërkombëtar për bashkimin e odave dhe liderëve të biznesit dhe paraqet mundësi të shkëlqyer për ndarjen e përvojave praktike, këmbimin e ideve, zgjerimin internacional të biznesit, vendosjen e kontakteve të reja me odat në mbarë botën.
"Si sponsorë të Kongresit botëror të odave angazhohemi për promovimin e suksesshëm të vendit tonë, ashtu edhe të kompanive të cilat në këtë mënyrë kanë mundësi shtesë për prezentim më të madh. Gjithashtu, tashmë janë dakorduar edhe takime për biznes lidhje dhe realizimin e partneriteteve potenciale të biznesit me përfaqësuesit e kompanive më të mëdha në nivel global", deklaroi kryetarja e LOE, Daniella Arsovska.
Nevenka Stamenkovska nga Agjencia për investime të huaja dhe promovimin e eksportit theksoi se në mënyrë tradicionale edhe gjatë këtij viti e mbështesin Kongresin botëror të odave.
"Në kongres në një vend janë tubuar brendet më të mëdha nga e mbarë bota dhe paraqet mundësi të shkëlqyer për promovimin e potencialeve investuese të Republikës së Maqedonisë. Gjatë ditës është paraparë të realizojmë takime me kryetarët e odave në Kanada, Britani të Madhe dhe Irlandë, prej ku ka pasur interesim të madh për vendin tonë", deklaroi Stamenkovska.
LOE dhe Agjencia ishin pjesë e Kongresit të 8-të botëror të odave në Dohë, Katar, ndërsa kongresi i 10-të, është paraparë të mbahet në Sidnei të Australisë./mia
