Uldedaj mbron titullin botëror më 30 maj në Londër

19.05.2026 14:14

Uldedaj do të rikthehet në ring për mbrojtjen e titullit kampion bote në kategorinë IBO në peshën “cruiserëeight” (deri në 93 kg)...

Boksieri shqiptar, Jurgen Uldedaj, do të rikthehet në ring për mbrojtjen e titullit kampion bote në kategorinë IBO në peshën “cruiserëeight” (deri në 93 kg), në një përballje të fortë ndaj amerikanit Muhsin Cason. Dueli është programuar të zhvillohet më 30 maj, në “OVO Arena Wembley”, në Londër, dhe do të jetë i vlefshëm për 12 raunde, ku Uldedaj synon të konfirmojë statusin e tij si kampion bote. 
 
Për 28-vjeçarin nga Lezha, kjo do të jetë hera e parë që mbron titullin e fituar në tetor të vitit të kaluar, kur mposhti Rolly Lambert Fogoum. Boksieri shqiptar pritet të ketë edhe mbështetjen e madhe të tifozëve kuqezi në këtë sfidë të rëndësishme ndërkombëtare. 
 
Uldedaj vjen në këtë përballje në një formë shumë të mirë sportive, me 21 fitore dhe vetëm 1 humbje në karrierë, duke regjistruar gjashtë fitore radhazi që e kanë ngritur në majat e boksit botëror. Nga ana tjetër, rivali amerikan 32-vjeçar mbetet i pamposhtur, me 14 fitore në po aq duele të zhvilluara, duke e bërë këtë sfidë një test të vërtetë force për titullin botëror.